“Është e papranueshme që për ndeshjen tonë u caktua një arbitër argjentinas”.
Pepe nuk u përmbajt në deklaratat pas ndeshjes Portugali-Marok, të fituar 1-0 nga përfaqësuesja afrikane, dhe që nxori jashtë Botërorit Cristianon me shokë.
“Pas asaj që ndodhi me Messin në ndeshjen ndaj Holandës, vë bast që Argjentina del kampione”, shtoi qendërmbrojtësi 39-vjeçar.
Sipas tij, arbitri duhet të shmangte vonesat e lojës në pjesën e dytë: “Sa u luajt pjesën e dytë. Portieri qëndronte gjithë kohës në tokë. Në fund,u dhanë vetëm 8 minuta shtesë. Nuk na u lejua të luanim në pjesën e dytë”.
Gjithashtu, Pepe mendon se arbitri argjentinas duhet të rishikonte aksionin e Bruno Fernandes, që mund të ishte penallti: “Duhet ta rishikonte, vumë re arrogancë të arbitrave ndaj nesh. Argjentina do të dalë kampione, ishin 5 arbitra argjentinas për ndeshjen tonë. Çfarë mund të them më shumë”.
Edhe mesfushori Bruno Fernandes iu bashkua kritikave për arbitrin e ndeshjes: “Jemi në Botëror dhe nuk ka asnjë arbitër portugez. Kjo është e papranueshme. Nga ana tjetër, shohim një tjetër arbitër që gjykon çerekfinalen dhe që ka përfaqësuesen e tij (Argjentinën) në garë për titull. Është pak e çuditshme. Arbitrat portugezë, që gjykojnë ndeshje Champions-i, nuk janë këtu. Këtu kemi argjentinasit, që nuk arbitrojnë në Champions, që nuk kanë ritëm për ndeshje të tilla. Në pjesën e parë ishte një penallti e pastër për mua”.