Diokleciani dhe ndërgjegjja e tij për prejardhjen ilire
Diokleciani (r. 284–305 pas Krishtit) lindi në Salona (afër Splitit të sotëm në Kroaci), në provincën romake të Dalmacisë, një rajon i banuar nga fise ilire. Burime të shumta e përshkruajnë atë si me origjinë ilire. Simon Corcoran thekson se Diokleciani ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e Ilirikumit dhe për rolin e tij në përpjekjet për të rivendosur Perandorinë. Gjatë periudhës së tij, shumë prej Augustëve dhe Cezarëve ishin me origjinë ilire.
Për më tepër, Ilirikumi ishte një zonë e rëndësishme për rekrutimin ushtarak, dhe shumë komandantë të shquar të asaj kohe ishin me prejardhje ilire ose të vendosur në Ilirik. Një numër prej tyre u ngjitën deri në fronin perandorak.
Konstantini i Madh dhe lidhja e tij me Ilirët
Konstantini i Madh (r. 306–337 pas Krishtit) lindi në Naissus (Nishi i sotëm në Serbi), në provincën e Moesisë së Epërme, një rajon që përfshinte Dardaninë, e cila ishte e banuar nga fise ilire. Ai lindi më 27 shkurt të vitit 272 pas Krishtit nga një familje fisnike me prejardhje nga Iliria.
Prindërit e tij ishin Konstanti Klor, pagan, dhe Elena, e ëma, e cila ishte me origjinë provinciale nga qyteti Drepanon (më vonë i quajtur Helenopolis). Shën Helena jetoi në Iliri dhe konsiderohet se ka lindur në një rajon që bënte pjesë në provincën ilire të Bitinisë. Ajo u nderua si perandoreshë nga djali i saj, perandori romak Konstantini i Madh.
Konstantini u rrit në pallatin perandorak të Dioklecianit në Nikomedi (sot Izmiti në Turqi). Pas fitores ndaj perandorëve rivalë Licinius dhe Galerius, ai u bë perandor i vetëm i Perandorisë Romake. Në vitin 313, me Ediktin e Milanos, ai njohu zyrtarisht fenë e krishterë. Në vitin 330, ai zhvendosi kryeqytetin e Perandorisë Romake nga Roma në qytetin Bizantion, të cilin e rindërtoi sipas modelit romak dhe e quajti Constantinopolis – “Qyteti i Konstantinit”.
Qyteti u pajis me struktura madhështore si obeliskë, terme, biblioteka, shatërvane dhe hipodrom. Forumit kryesor të qytetit iu dha emri “Forumi i Konstantinit”, ku u vendos një kolonë e madhe me statujën e tij, e paraqitur me kurorën e diellit – simbol që lidh besimet e tij me kultet e vjetra para të krishtera.
Roli i Gadishullit Ilirik në Perandorinë Romake
Ilirikumi ishte një rajon strategjik dhe një burim i rëndësishëm për rekrutimin ushtarak në Perandorinë Romake. Gjatë shekullit III, për shkak të krizave të vazhdueshme, trupat dhe komandantët me origjinë ilire luajtën një rol vendimtar në mbrojtjen dhe stabilizimin e Perandorisë, duke përfshirë edhe ngjitjen e tyre në postet më të larta të administratës dhe ushtrisë.
Sipas të dhënave historike, Konstantini i Madh, me origjinë nga ky gadishull, ruajti elemente të besimeve të lashta pellazgo-ilire. Simbolet e tilla si dielli, dhia dhe gjarpri konsideroheshin të shenjta. Romakët e përvetësuan kultin e diellit si “Sol Invictus” – Dielli i pathyeshëm. Deri në fund të jetës së tij, Konstantini mbeti një ndjekës i përzierjes së kulteve të lashta me krishterimin në rritje.
Pas tij, perandorë të tjerë me origjinë ilire, si Justiniani i Madh, vazhduan të luanin role të rëndësishme në Perandorinë Bizantine.
Qyteti i themeluar nga Konstantini – Konstandinopoja – mbeti kryeqytet perandorak për më shumë se 1000 vjet. Në vitin 1453, qyteti u pushtua nga osmanët, të cilët ruajtën emrin e tij në versionin “Konstantiniyye”, që do të thotë “Qyteti i Konstantinit”.
Duke u mbështetur në burimet e mësipërme, është e arsyeshme të konkludohet se Diokleciani kishte prejardhje ilire. Konstantini i Madh gjithashtu, me vendlindje në një rajon me prani të fuqishme ilire sugjeron një lidhje të mundshme etnike. Roli i jashtëzakonshëm i Ilirikumit në strukturën ushtarake dhe politike të Perandorisë Romake përforcon më tej këtë argument, për arsye se po shqyrtojmë një periudhë kur perandorët zgjidheshin kryesisht nga ushtria. Përgatiti: Elis Buba / usalbanianmediagroup.com/

St Helena and the Emperor Constantine holding a model of St Sophia Church
Stuart Cox


