Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot në Kavajë “Dëshmorin e Kombit”, Indrit Cara, në 26-vjetorin e rënies në luftën e Kosovës, në një ceremoni solemne ku u inaugurua monumenti i tij. Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule në shtatoren e “Ushtar Kavajës” në nderim të veprës sublime për kombin.
Në fjalën e mbajtur gjatë kësaj ceremonie, Presidenti Begaj vlerësoi vendosmërinë dhe sakrificën e 28-vjeçarit nga Kavaja, i cili la Anglinë dhe iu bashkua djemve dhe burrave në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Ai lindi në Kavajë, por sot i takon Kosovës, i takon Shqipërisë, i përket shqiptarisë. Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar. Ai është një emër i gdhendur në historinë e kombit tonë, një model frymëzimi që tregon rrugën për të rinjtë tanë: frymën e sakrificës, forcën e unitetit dhe rëndësinë e veprimit për të mirën e kombit tone”, tha Begaj.
Presidenti Begaj theksoi se përkujtimi i Indrit Carës shërben për të gjithë si kujtesë për angazhimin e përhershëm për të mos e lënë të shuhet ëndrrën për të cilën ai dha jetën.
“Sakrifica e tij shërben si një busull për të ardhmen tonë, për një komb të bashkuar, për një shqiptari të fortë, për një Kosovë që ecën përpara, e lirë dhe krenare”, shtoi Begaj.
Kreu i Shtetit kujtoi me nderim edhe figurat që udhëhoqën përpjekjet për çlirimin e Kosovës: Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Adem Jasharin, si dhe nënvizoi përgjegjësinë për bashkëpunim jo vetëm të politikës, por të çdo qytetari për të ruajtur dhe pasuar amanetin e të parëve.
E pranishme në inaugurimin e shtatores së dëshmorit Indrit Cara, ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
“Nga sot, sheshi në qendër të Kavajës është më i bukur, më domethënës, më simbolik, i plotësuar me shtatoren e birit të qytetit, ushtarit të Kavajës dhe shqiptarisë, dëshmorit të kombit, të rënë në luftën për çlirimin e Kosovës, krenarisë së Kavajës patriote, luftëtarit të UÇK-së, Indrit Cara-Ushtar Kavaja”, tha Spiropali