Presidenti Trump: Askush s’më ka kërkuar t’i heq trupat amerikane nga Evropa, nuk do ta bëja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se askush nuk i ka kërkuar largimin e të gjitha trupave amerikane nga Evropa. Deklarata e tij vjen disa ditë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sugjeroi se ulja e numrit të trupave amerikane në Europë mund të jetë opsion si pjesë e një ujdie me Moskën për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Trump tutje ka thënë se nuk është i mendimit për largimin e trupave amerikane nga Evropa, duke shtuar se kjo çështje as që është ngritur ndonjëherë.

“Nuk do ta bëja. Por kjo pyetje nuk është ngritur kurrë.”, ka thënë Trump, shkruan CNN.

I pyetur nëse ai mbështet vendosjen e trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, Trump ka deklaruar se “nuk do ta kundërshtonte fare atë”.

“Nëse ata duan ta bëjnë këtë, është mirë. Unë jam për këtë. Nëse ata duan ta bëjnë këtë, mendoj se do të ishte mirë,” u tha ai gazetarëve sot, duke theksuar se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë shprehur të hapura për ta bërë këtë, mirëpo shtoi se ShBA’të s’do ta bëjnë këtë.

Hegseth ka thënë se “gjithçka është në tryezë” për të sjellë paqen në Ukrainë dhe sugjeroi që reduktimi i numrit të trupave amerikane në Europë mund të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje.

Ai u pyet nëse Europa duhet të përgatitet që SHBA të shkurtojë numrin prej 100,000 trupash që ka vendosur në kontinent dhe ai duket se i lidh dislokimet me negociatat për Ukrainën.

Për deklaratat e Hegseth, janë deklaruar edhe nga NATO.

Një zyrtar i NATO’s ka konfirmuar se përkushtimi ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë është i fortë dhe se vazhdon të përmbushë misionin e tij të dalë nga OKB-ja, duke shtuar se “Dekada të paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Angazhimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet i fortë”.