“Pritët Kurtin në Sarajevë”, shpërthen Serbia: Precedent i rrezikshëm që cenon stabilitetin

Shënimi i Ditës së Republikës Serpska, e shpallur jo kushtetuese nga gjykatat në vend, ka nxitur një mori reagimesh, brenda dhe jashtë Bosnje dhe Hercegovinës. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ambasada amerikane, ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit, transmeton A2 CNN.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, i dërgoi një letër proteste  Beogradit, për shkak të mbërritjes së zyrtarëve nga ky vend për të shënuar Ditën e Republikës Sërpska.

Nuk ka vonuar reagimi i Serbisë, e cila po ashtu përmes ministrisë së jashtme shpreh habinë për një veprim të tillë, duke qenë se siç thotë, Sarajeva ka mirëpritur kryeministrin Albin Kurti, në shpërfillje të qëndrimit të Serbisë.

“Është e pabesueshme dhe thellësisht shqetësuese që autoritetet në Sarajevë e konsiderojnë të përshtatshme t’i dërgojnë nota proteste Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë  mirëpresin zyrtarisht Albin Kurtin, politikat dhe veprimet e të cilit shkelin qartë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Ky akt paraqet një mospërfillje flagrante për qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës, i cili bazohet fuqishëm në e drejta ndërkombëtare dhe mbështetet nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme serbe, përcjell A2 CNN.

Beogradi vijon më tej, duke thënë se pritja e Kurtit në Sarajevë nuk është vetëm fyerje për Serbinë, por edhe precedent i rrezikshëm që cenon stabilitetin rajonal dhe respektin reciprok.