Ekipi kombëtar i mundjes, bashkë me kampionin e saposhpallur të Evropës Chermen Valiev, si dhe medalistin e bronztë Zelimkhan Abakarov, janë pritur si heronj këtë të enjte në aerportin ‘Nënë Tereza’.
Valiev të mërkurën fitoi 4-2 finalen e kategorisë 74 kilogramë kundër rivalit rus Zaurbek Sidakov, i cili garoi me flamur neutral, ndërsa Abakarov suksesin e arriti në kategorinë 61 kilogramë.
“Ishte një finale shumë e mirë me mundës shumë të fortë sidomos ato nga Rusia. Jam shumë i lumtur dhe faleminderit për mikpritjen,”-u shpreh Chermen Valiev, mundës i Shqipërisë.
“këtë herë arrita të marrë medaljen e brozntë por synoj që në garat e ardhshma të marr të artën,”-tha Zelimkhan Abakarov, mundës i Shqipërisë.
Në federatën shqiptare të mundjes janë krenarë për medaljet, por në të njëjtën kohë kanë keqardhje se mund të kishin arritur më shumë.
“Djemtë po vijojnë të sjellin medalje dhe nga ato më të mirat. Sinqerisht ne mund të ishim me 3 medalje, por Islami ishte sëmurë dhe nuk mund ta fusnim në garë. Megjithatë Chermeni dhe Zelimkhan si gjithmonë na bënë sërish krenarë,”-deklaroi presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes Sahit Prizreni.
“Këto dy medalje konfirmuan që federata e mundjes është federata më elitare që ne kemi. Pra nuk ishin rastëse medaljet e Parisit, e Lojërave Olimpike. Nuk janë rastësi medaljet që Zelimkhan ka marrë si kampion bote, Islami si kampion evrope dhe Chermeni si olimpist. Ndodhën përsëri,”-u shpreh Fidel Ylli, president i KOKSH-it.
Megjithatë jo gjithçka shkoi mirë në kampionatin evropian të mundjes në Bratislavë. Chermen Valeiv, i cili në finale mposhti rivalin rus, është sulmuar nga presidenti i kësaj federate në momentin që jepte medaljet. Mikhail Mamiashvili, i cili njëkohësisht është zv/president i federatës botërore të mundjes, fillimisht i është drejtuar Valiev me fjalën tradhtar, pasi ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë dhe më pas i ka vendosur me forcë medaljen, duke bërë një gjest tallës për mundësin kuqezi. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar thotë se për ngjarjen do të ankohet në të gjithë organizmat Olimpikë Botërore.