Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale pretendon se dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmen Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të destinuara për rezerva shtetërore.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare. Në dokument theksohet se vlera e dëmit të pretenduar është 601 mijë e 940 euro.
Në dosje Lipovica e Gara akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare duke lejuar anashkalimin e procedurës së hapur të prokurimit publik. Aty thuhet se Lipovica ka anashkaluar anëtarët e tjerë të Komisionit për Negocimin e Kontratave duke ia mundësuar biznesmenit Muharremi të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes ministrisë dhe operatorit ekonomik nga Turqia. Në dosje theksohet se ishte nënshkruar kontrata për blerje të 10 mijë tonëve nga Turqia për 4.834.778 euro dhe më pas ishte nënshkruar një kontratë për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer në sasi 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, për 276 mijë euro. Prokuroria ka shprehur pretendimin se furnizimi është paguar 100 për qind avanci.
Gara dyshohet se ka adresuar te Lipovica kërkesën për përjashtim të procedurave të prokurimit “edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore, e cila më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit”.
Sa i përket të pandehurit Ridvan Muharremi, ai dyshohet për “dhënie të ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në arsyetim, Prokuroria ka thënë po ashtu se ka edhe “disa persona të tjerë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, të cilët do të identifikohen në ditët në vijim, e që do të trajtohen sipas ligjit”.
“Është i pakontestueshëm fakti se, e tërë procedura e blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022 është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat”, thuhet në dosje.
“Nga veprimet, mosveprimet, lëshimet dhe shkeljet e kryera nga të pandehurit, ka rezultuar se vendi nuk është pajisur me produkte të rezervës shtetërore, duke shkaktuar dëm material në lartësi të paktën 601.940 euro, mirëpo shuma e saktë e dëmit, vlerësohet të jetë shumë më e lartë se kjo, por që saktësisht do të përcaktohet pas verifikimeve dhe angazhimit të ekspertit përkatës”, thuhet në dosje.
Të pandehurit u arrestuan një ditë më parë. Media online Nacionale ka raportuar më parë se Muharremi ka qenë ndërmjetës në blerjen e vajit dhe miellit për rezervat shtetërore. Sipas këtyre raportimeve, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, ka bërë presion tek zyrtaret që të paguajnë paratë edhe pa u pranuar malli.
Hajdari për këtë çështje është deklaruar pasditen e së premtes, në një konferencë për media. Ajo ka mbrojtur zyrtarët e arrestuar e për biznesmenin Muharremi ka thënë se nuk e di se si ndërlidhet me këtë rast.
Hajdari ka pranuar se në qershor sivjet MINT-i ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se “3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar”.
Ajo është pyetur se në cilat raste lejohet pagesa e mallit pa u pranuar malli. Hajdari ka folur për avancat. Ka cituar Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit përkatës.
“Te Ligji për Ndarjet Buxhetore, neni 13, paragrafi 5, lejon avancat 100 për qind nga ndarjet buxhetore të vitit aktual, që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës…”, ka cituar ajo këtë ligj.
Por, në të njëjtin ligj ka dallim në formulim. Aty thuhet që avanca mund të jepet për projekte para liferimit të pajisjeve. Vaji e mielli janë produkte ushqimore.
“Lejohen avancat deri në një qind për qind (100%) nga ndarja buxhetore e vitit aktual, për projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Avancat që kanë të bëjnë me projektet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës lejohen të mbesin të hapura edhe për vitet pasuese për ato projekte për të cilat liferimi i pajisjeve nuk mund të bëhet brenda një viti të rregullt fiskal”, thuhet në nenin e cituar nga ministrja Hajdari.
Ligji tjetër së cilit i është referuar Hajdari është ai i Prokurimit Publik. Ka përmendur nenin 3 të këtij ligji.
“Po ashtu Ligji për Prokurimin Publik të Kosovës, është neni 3, sa më kujtohet, që e mundëson pagesën në avancë kur është çështje e sigurisë”, ka thënë ajo.
Por, neni 3 i të njëjtit ligj flet vetëm për rastet kur përjashtohet procedura e prokurimit dhe aty nuk flitet fare për avanca ose jo në pagesa.
E te ligji për Rezervat Shtetërore thuhet saktësisht se secila blerje për rezervat shtetërore duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit publik.
“Çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik”, thuhet ndër të tjera në këtë ligj. “Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik, dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare”.
Hajdari ka thënë së është shmangur prokurimi për shkak të krizës në furnizim e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Vlera e kontraktuar e mallrave për rezervë shtetërore ka qenë 10 milionë euro, ndërkaq sasia që dyshohet se nuk ka mbërritur është në masën 3 për qind.
Të shtunën, Mahmut Halini, avokat i biznesmenit të arrestuar për dyshime për dallavere me rezerva shtetërore, Ridvan Muharremi, ka thënë se klienti i tij ishte i angazhuar në blerjen e rezervave shtetërore direkt nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.