Propaganda e radhës e Vuçiqit, tani shënon ditën e “progomit të marsit” që lidhet me ngjarjet në Kosovë

Mbrëmë më Beograd është organizuar akademia përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të ngjarjeve në Kosovë të cilën ata e quajnë “progomi i marsit”.

Në këtë ngjarje, të organizuar mbrëmë në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “Beogradi do të jetë gjithmonë me serbët në Kosovë”, ku, sipas fjalëve të tij, “ata po persekutohen në mënyrë permanente, njëjtë si para dy dekadave – më 17 mars 2004”.

Ai në Teatrin Kombëtar të Beogradit, në të ashtuquajturën “akademi përkujtimore” me rastin e 20 vjetorit të ngjarjeve të marsit, është ankuar se askush nuk është përgjigjur për këtë.

“Askush nuk mund të na heqë të drejtën për të vërtetën, ajo për ne është e nevojshme dhe ne nuk do të heshtim”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se “Beogradi zyrtar do të jetë gjithmonë me popullin e tij në Kosovë”.

Ai gjithashtu ka pretenduar se “në një botë pa parime, mburoja e vetme është e vërteta”, dhe se, siç tha ai, “ne jetojmë në një botë të kapjes me dhunë të së vërtetës”.

“Kur ne kërkojmë për Serbinë atë që vlen për të gjithë në botë, ata na sulmojnë se jemi të dhunshëm, se jemi armatosur”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe 20 vjet pas “pogromit të marsit”, Serbia “as nuk ka sulmuar e as nuk ka kërcënuar askënd”.

Kjo nuk do të thotë se do të tërhiqemi, do të vazhdojmë të themi të vërtetën”, ka pretenduar Vuçiqi.

Ai gjithashtu ka thënë se ajo që ndodhi më 17 mars 2004 ishte “mirë e organizuar dhe e koordinuar” për të fituar një Kosovë të pavarur.

Sipas tij, nga viti 2008 deri në vitin 2012 dhe 2013 ka humbur shumë sepse, më shumë se gjysma e botës e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se Marrëveshja e Brukselit i mundësoi Serbisë “të tregojë se është një partner i besueshëm, në dallim prej Kosovës”.

“Atë marrëveshje as nuk e përmendin më, tani po përmendin Marrëveshjen e Ohrit, nga e cila “ne përmbushëm diçka”, por Kosova nuk bënë asgjë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka përsëritur se Kosova, (sipas dëshirës së tij) “do të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë” dhe se Beogradi zyrtar kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e saj.

“Ne kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës dhe ajo do të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë sovrane dhe të pavarur”, tha ai.

Në këtë mbledhje propagandistike, të ashtuquajtur “komemorative” morën pjesë anëtarë të qeverisë serbe si dhe personalitete të kishës serbe.

20 vjet më parë, më 17 dhe 18 mars të vitit 2004 në Kosovë kishte  shpërthyer  një revoltë popullore kundër  qeverisjes së ngathët dhe pro serbe të një segmenti të administratës së UNMIK-ut, i cili kishte lejuar krijimin e strukturave paralele serbe në  veri të Kosovës, prej qershorit të vitit 1999, kur forcat franceze dhe ruse të KFOR-it e kishin ndarë këtë pjesë të Kosovës.

Më 17 mars 2004, trazirat filluan pasi një ditë më parë tre  fëmijë shqiptarë, Egzon Deliu, 13 vjeç, Avni Veseli, 12 vjeç, dhe Florent Veseli, 9 vjeç, ishin mbytur në Lumin Ibër, nga një serb i cili i kishte ndjekur me qentë e tij. Disa fëmijë që i kishin mbijetuan dhunës së serbit të moshës madhore po atë natë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe duke ikur për të shpëtuar, dy shokë të tyre  kishin humbur jetën në lum. Më 18 mars protestat kishin përfshirë tërë Kosovën.

Gjatë atyre dy ditëve  në protestat masive u vranë 19 qytetarë, prej tyre 12 shqiptarë dhe shtatë serbë. Revoltat e 17 e 18 marsit ishin  pasojë e mbretërimit të anarkisë në vend, të cilën e kishte instaluar dhe kishte lejuar administrata e UNMIK-ut duke stagnuar proceset politike të Kosovë, me qëllim të zvarritjes së shpalljes së pavarësisë së vendit. Protestat i kishin dhënë hov dinamizimit të politikës dhe katër vjet më vonë  më 17 shkurt të vitit 2008 ishte shpallur  pavarësia e Kosovës.