“Ka fushatë për të uzurpuar dhe shqiptarizuar trashëgiminë kulturore serbe”, ka “alarmuar” përfaqësuesi rus, Dmitry Polyanskiy, të enjten në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Historia e Kosovës dhe Metohisë është rishkruar”, ka qenë akuza e radhës. Te pjesa e trashëgimisë, akuzat se “trashëgimia serbe e Kosovës e Metohisë po shqiptarizohet” janë krejt të ngjashme me ato të Kishës Ortodokse Serbe. “Deklaratat e diplomacisë ruse kundër Kosovës nuk janë gjë e re. Ato janë retorikë e zakonshme në sinkron të plotë me propagandën serbe kundër Kosovës”, ka thënë Sali Shoshi, ekspert i trashëgimisë kulturore
Sa herë që Serbia i fryn propagandës në raport me Kosovën, Rusia i bashkohet në kor. E në fushata të tilla, trashëgimia kulturore është e pashmangshme. Shembulli i radhës: Seanca e 9545-të e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të enjten mbrëma sipas orës lokale, e thirrur me kërkesë të Serbisë.
Çështja e dinarit qe kryefjalë, presidenti serb e preku edhe trashëgiminë, por në pak sekonda, akuzues ndaj Kosovës qe edhe përfaqësuesi i Rusisë në OKB. Pasi numëroi sulmet “e motivuara etnikisht ndaj serbëve dhe pronave të tyre” iu rrek trashëgimisë kulturore.
“Ka fushatë për të uzurpuar dhe shqiptarizuar trashëgiminë kulturore serbe”, ka thënë përfaqësuesi rus, Dmitry Polyanskiy, për të vazhduar me akuzën e radhës. “Historia e Kosovës dhe Metohisë është rishkruar. Kishat po merren nga vendet e vjetra fetare ortodokse po emërohen katolike dhe gjurmët e pranisë së vjetër të serbëve në këtë tokë janë zhdukur”, ka thënë ai.
“Shembujt” që ka dhënë janë të paqarta. Ka përmendur një të dhjetorit të vitit të kaluar, kur “Prishtina pa asnjë konsultim me Kishën Ortodokse Serbe, emëroi dy kisha… në veri dhe nisi riparimet e supozuara”, ka thënë ai. Polyanskiy ka “evidentuar edhe një tjetër shkelje”. “Shqiptarët e Kosovës në janar organizuan marrjen e dhunshme të një manastiri të shekullit XIII në perëndim të provincës”, ka thënë ai.
Te pjesa e trashëgimisë, akuzat se “trashëgimia serbe e Kosovës e Metohisë, po shqiptarizohet” janë krejt të ngjashme me ato të Kishës Ortodokse Serbe, sa herë që botohen shkrime për monumentet ortodokse, edhe kur ato bazohen në shënime autorësh serbë. Një rast i freskët qe ai i Vëllazërisë së Manastirit të Deçanit ndaj shkrimit “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale”, botuar në numrin e parë të këtij viti të “Shtojcës për kulturë” të KOHËS Ditore, më 7 janar. U alarmua se “po përvetësohet Kisha e Shën Premtës”, njësoj si “alarmi” i përfaqësuesit rus në OKB.
“Dhe e gjithë kjo është për keqardhje”, ka thënë të premten Sali Shoshi, ekspert i trashëgimisë kulturore, udhëheqës i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, kur ka komentuar fjalimin e përfaqësuesit rus në OKB. Për të, deklaratat e diplomacisë ruse kundër Kosovës nuk janë gjë e re.
“Ato janë retorikë e zakonshme në sinkron të plotë me propagandën serbe kundër Kosovës”, ka thënë ai.
Por a kanë bërë institucionet e vendit mjaftueshëm tash e 25 vjet pas luftës, që trashëgimia ortodokse të prezantohet si trashëgimi kulturore e Kosovës?
“Kosova ka kaluar në sfida të mëdha përgjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës. Dhe një prej tyre janë edhe kapacitetet e kufizuara institucionale dhe njerëzore në fushën e trashëgimisë kulturore. Edhe sot kjo fushë mbetet tepër sfiduese, marrë parasysh numrin e madh të pasurisë kulturore dhe nevojave për konservim dhe menaxhim të tyre”, ka thënë Shoshi.
Por, sipas tij, në raport me trashëgiminë fetare ortodokse, “falë edhe presionit ndërkombëtar gjatë negociatave për status dhe sidomos gjatë periudhës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, janë bërë hapa të rëndësishëm të cilët kanë krijuar bazë të fortë ligjore për mbrojtjen e saj”. Ka kujtuar se është hartuar legjislacion i veçantë për 45 zona të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që janë identifikuar si të rëndësisë se veçantë për komunitetin serb të Kosovës, duke garantuar integritet hapësinor, autonomi të lartë të menaxhimit të tyre, si dhe politika të favorshme fiskale.
“Zaten, kjo pjesë e trashëgimisë kulturore është shumë më e mbrojtur dhe e sigurt sesa pjesa tjetër e trashëgimisë kulturore që ka rendësi për shumicën shqiptare dhe komunitetet e tjera në Kosovë”, ka thënë Shoshi.
Kur ka nënvizuar se institucionet duhet të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ka thënë se ato duhet të fokusohen në strategji që afrojnë komunitetet me trashëgiminë kulturore që ndodhet në zonat ku ata jetojnë.
“Kjo ndikon në uljen e paragjykimeve dhe rritjen e përgjegjësisë dhe ndjenjës së krenarisë për vendin e tyre. Sigurisht që kjo nuk arrihet lehtë, sidomos në raport me trashëgiminë fetare ortodokse marrë parasysh instrumentalizimin e saj nga Qeveria serbe përmes klerit ortodoks serb”, ka thënë ai.
Instrumentalizim dhe politizimi i trashëgimisë kulturore ortodokse nga ana e Serbisë janë tema të kahershme në diskursin midis ekspertësh të trashëgimisë. Jo pak ndërhyrje në monumente – si rasti i ngjyrosjes së Patrikanës së Pejës vite më parë – bëhen edhe pa leje të institucioneve të vendit.
“Por, kjo nuk duhet t’i dekurajojë përpjekjet e përbashkëta për të pasur qasje në të mirat kulturore që gjenden në territorin e Kosovës të cilat janë trashëgimi e përbashkët e të gjithëve, ashtu siç promovohen edhe nga konventat ndërkombëtare”, ka thënë Shoshi.
Por edhe kur përmendet universialiteti i monumenteve të trashëgimisë ortodokse, autoritetet kishtare – si rasti i Vëllazërisë së Manastirit të Deçanit – reagojnë vrullshëm. “Nuk ka të dhëna konkrete të shkruara për çfarëdo kishe etnike dardane”, shkruhej në reagimin e Vëllazërisë ndaj shkrimit të bizantologut Agon Rrezja – plasuar me tituj alarmues në mediat e Serbisë.
“Ky pasazh tregon qartë se kleri ortodoks serb në Kosovë, i shkolluar në shkollën e tyre ‘Bogosllavia’ në Prizren, e pastaj në Beograd, dërgohet me mision special për të vazhduar me mitin serb për Kosovën edhe në kohën e tanishme postmoderne-demokratike”, do të kundërpërgjigjej Rrezja. E misionin me propagandën se “ka fushatë për të uzurpuar dhe shqiptarizuar trashëgiminë kulturore serbe”, e vazhdon edhe Rusia.