Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile në bashkëpunim me qytetarë nga Kosova Lindore kanë protestuar sot (e hënë) kundër politikave serbe ndaj vendbanimeve shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Protesta ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë.
Motoja e kësaj proteste është “Stop padrejtësisë të shtetit serb që po zhvillon ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë në komunat e Preshevës, Medvexhës dhe Bujanocit.
Në këtë protestë paqësore mbajtën fjalim kryetari i Unionit Shqiptar, Dashamir Uruqi dhe koordinatorja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar Linda Shaqiri, ku u diskutua se nga viti 2011 është duke u zhvilluar spastrimi etnik në këto tri komuna. Aty u tha se në këto komuna në shëndetësi nuk ka asnjë shqiptar të punësuar dhe se Lugina ka nevojë për ndihmë të gjithanshme morale e ekonomike, pasi që këto komuna nuk mund të arrijnë rezultat të dukshëm me 2 milionë eurot që jep Kosova, e zero nga Shqipëria.
Uruqi tha se problemi kryesor qëndron tek trajtimi i shqiptarëve në Serbi në të gjitha fushat.
Uruqi rekomandoi që në të gjitha bisedimet e ardhëshme Kosovë-Serbi të vihen në truezën e bisedimeve të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve në Kosovën Lindore.Dhe se kërkojnë ndëshkimin e Serbisë për agresionin ushtarak ndaj Kosovës me 24 Shtator 2023, si dhe hetim ndërkombëtarë për Alexandër Vucic.
Gjithashtu Uruqi shtoi se Lugina ka nevojë për ndihmë të gjithanshme morale e ekonomike, Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të vendosur në buxhetin e shtetit të tyre shifra të rëndësishme financiare, me të cilat mund të kenë ndikim në jetën e shqiptarëve në luginë.
Koordinatorja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, Linda Shaqiri, tha se nga viti 2011 spastrimi etnik në këto komuna po zhvillohet.
Gjithashtu protestuesit shtuan se do të mundohen të mbajnë një protestë paqësore edhe në Shqipëri, pasi që Edi Rama nuk ka folur kurrë për Luginën.