Pse Suedia lejon djegien e Kuranit?

Një varg veprimesh kohën e fundit ku u përdhos Kurani nga disa aktivistë anti-islam në Suedi, kanë ngjallur reagim të ashpër në vendet myslimane dhe ka ngritur pikëpyetje – duke përfshirë edhe në Suedi – përse lejohen akte të tilla.

Në incidentin e fundit të tillë, një irakian që jetonte në Suedi të enjten shkeli dhe shkelmoi librin e shenjtë të Islamit në një tubim me dy persona jashtë ambasadës së Irakut në Stokholm. Protesta u autorizua nga policia suedeze, e cila mbajti në një distancë të sigurt një pjesë të vogël të atyre që e kundërshtonin këtë veprim, shkroi AP.

I njëjti burrë irakian dogji një Kuran jashtë një xhamie në Stokholm muajin e kaluar në një protestë të ngjashme që u miratua nga policia. Dhe në fillim të vitit, një aktivist i ekstremit të djathtë nga Danimarka kreu një veprim të ngjashëm jashtë ambasadës turke në Stokholm.

A është e lejueshme në Suedi përdhosja e Kuranit?

Nuk ka ligj në Suedi që specifikisht ndalon djegien ose përdhosjen e Kuranit apo një libri tjetër fetar. Si shumë shtete të tjera, as Suedia nuk ka ligje kundër blasfemisë.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fund të shekullit 19, blasfemia konsiderohej krim serioz në Suedi, e dënueshme me vdekje. Por, gradualisht ato ligje u liruan pasi Suedia u bë laike. Ligji i fundit i tillë u hoq nga librat në vitin 1970.

A munden autoritetet suedeze të ndalojnë akte të tilla?

Shumë shtete islame i kanë bërë thirrje qeverisë suedeze që të ndalojë protestuesit të djegin Kuranin. Por, në Suedi i takon policisë, jo qeverisë, që të vendosë nëse do të autorizojë apo jo demonstratat a tubimet publike.

Liria e shprehjes është e mbrojtur me Kushtetutën suedeze. Policia duhet të citojë nene specifike për të lejuar apo mohuar një demonstratë ose tubim publik, si rreziku për sigurinë publike.

Policia në Stokholm këtë bëri në shkurt kur ua mohoi dy aplikuesve protestën që të digjnin një Kuran, duke cituar se akte të tilla mund të rrisin rrezikun për sulme terroriste kundrejt Suedisë. Por, një gjykatë më vonë ia hodhi poshtë vendimin, duke thënë se policia duhet të citojë konkretisht pikat për të ndaluar një tubim publik.

A mund të konsiderohet gjuhë e urrejtjes djegia e Kuranit?

Ligji i gjuhës së urrejtjes në Suedi ndalon nxitjen kundër grupeve të njerëzve bazuar në racë, etni, fe, orientim seksual apo identitet gjinor.

Disa thonë se djegia e Kuranit përbën nxitje kundër myslimanëve dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet si gjuhë e urrejtjes. Të tjerë thonë se akte të tilla kanë në shënjestër fenë islame dhe jo praktikuesit e besimit dhe se kritika ndaj fesë duhet të mbulohet nga liria e fjalës, edhe kur disa e konsiderojnë atë fyese.

Duke kërkuar udhëzime nga sistemi i drejtësisë, policia suedeze ka ngritur akuza paraprake të krimit të urrejtjes kundër burrit që dogji Kuranin jashtë xhamisë në Stokholm në qershor dhe përdhosi librin e shenjtë sërish të enjten. Tani është në dorën e prokurorëve të vendosin nëse zyrtarisht do ta padisin.

A po i veçojnë myslimanët dhe Kuranin autoritetet suedeze?

Disa myslimanë në Suedi u shprehën thellësisht të shqetësuar nga djegiet e Kuranit duke pyetur nëse policia do të lejonte përdhosjen e librave të shenjtë të feve të tjera.

Një mysliman vendosi që ta testojë këtë dhe aplikoi për leje të protestonte jashtë Ambasadës së Izraelit ku tha se kishte qëllim ta djegë Tevratin dhe Biblën.

Edhe pse qeveritarë izraelitë dhe grupe hebrenjsh e dënuan aktin e planifikuar dhe thirrën autoritetet suedeze që ta ndalonin, policia aprovoi kërkesën e burrit. Megjithatë, sapo u fut në skenë, burri u tërhoq nga planet e tij duke thënë se si mysliman ai ishte kundër djegies së librave fetarë.