Pushteti i LDK-së në Fushë Kosovë deshi të ndërtonte xhami në vend të shkollës, ia ndaloi Qeveria

Komuna e Fushë Kosovës e udhëhequr nga Burim Berisha i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë një refuzim nga Qeveria e Kosovës pas një vendimi që kishte për qëllim ndërtimin e një xhamie. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka bllokuar këtë iniciativë, duke e shpallur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës.

Siç merr vesh Gazeta Insajderi bëhet fjalë për një tokë të cilën pushteti i LDK-së në pushteti lokal tentojë që ta këmbente me Bashkësinë Islame për të ndërtuar xhami, ishte paraparë që të ndërtohej shkollë.

Por tentativa e tyre për ta shndërruar tokën e destinuar dikur për shkollë në xhami, ka dështuar.

Sipas dokumentit të publikuar nga MAPL, vendimi i Kuvendit Komunal për fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për ndërtimin e një objekti fetar në zonën kadastrale të Fushë Kosovës është konsideruar si i paligjshëm.

MAPL, përmes analizës ligjore dhe mbështetjes në rregulloren qeveritare për administrimin e akteve të komunave, ka konstatuar se ky vendim bie në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Në dokument thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendimin për të ndaluar këtë projekt, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim. Ministria ka konstatuar se procedurat e ndjekura nga pushteti lokal nuk janë në përputhje me rregulloret dhe ligjet e aplikueshme për dhënien në shfrytëzim të pronës publike.

Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës në mbledhjen e mbajtur më datë 26.09.2024, ka miratuar Vendimin 120 për aprovimin e propozimit Nr.1047, të datës 02.09.2024 për shpalljen me interes publik fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për ndërtimin e objektit të xhamisë në zonën kadastrale Fushë Kosovë i nxjerrë nga Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës.

MAPL konstatoi se vendimi i nxjerrë nga Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës është në kundërshtim me nenin 5 pika 1.3 të Ligjit Nr.06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme së komunës pasi që ky ligj nuk parasheh dhënien e pronës komunale për raste të tilla. Ligji Nr.06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës ka për qëllim rritjen e vlerës së pronës së paluajtshme së komunës si dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Andaj bazuar në të lartëcekurat, Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës, duhet të ndërmarrë veprime dhe brenda afatit ligjor, prej 30 ditëve, të rishqyrtojë dhe të harmonizojë aktin më legjislacionin në fuqi.

MAPL ka bërë me dije se mbetet në dispozicion të komunës për çfarëdo sqarimi të mëtejshëm lidhur me këtë vlerësim.