Shefi i Shtabit të Ushtrisë Ruse Valery Gerasimov po përballet me kritika në rritje pasi forcat ukrainase filluan inkursionin më të madh në territorin rus që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më shumë se dy vjet më parë.
Gerasimov dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë me sa duket kanë injoruar paralajmërimet e inteligjencës se ushtarët ukrainas po grumbulloheshin pranë kufirit me rajonin perëndimor të Rusisë, dy javë para se të fillonin sulmin, dhe askush nuk e informoi presidentin Vladimir Putin, i tha Bloomberg një burim pranë Kremlinit. Forcat ruse në Kursk u befasuan dhe i ofruan pak rezistencë përparimit ukrainas.
Ndërsa Gerasimov nuk ka gjasa të shkarkohet së shpejti, presidenti rus Putin po humbet durimin dhe është i pakënaqur me mënyrën se si Gerasimov po zhvillon luftën kundër Ukrainës, i njëjti burim tha për Bloomberg në kushte anonimiteti. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk iu përgjigj pyetjes së Bloomberg për këtë temë.
Kujtojmë se Rusia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin e Kurskut, ndërsa tashmë po përpiqet të ndalojë avancimin ukrainas për të katërtën ditë. Gerasimov tha se ukrainasit pushtuan me rreth 1000 ushtarë të mbështetur nga tanke dhe automjete të blinduara. Këtë Gerasimov ia tha dje presidentit rus Putin në një takim, pjesë të të cilit u transmetuan në televizionin shtetëror rus.
Gerasimov, 68 vjeç, ka qenë shefi i shtabit të ushtrisë ruse që nga nëntori 2012 dhe u mbajt nga Putin në maj gjatë një spastrimi të zyrtarëve ushtarakë dhe të sigurisë pas inaugurimit të tij për një mandat të pestë presidencial. Ekonomisti Andrey Belousov u bë ministër i mbrojtjes në vend të aleatit të vjetër të Putinit Sergei Shoigu, i cili u transferua në Këshillin e Sigurisë të Rusisë.