Qytetarët e Kosovës nga 1 dhjetori mund të udhëtojnë pa viza në Tajvan

Zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti ka njoftuar se qytetarët e Kosovës nga 1 dhjetori i këtij viti mund të udhëtojnë pa viza drejt Tajvanit.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Duke filluar nga 1 dhjetori 2024, qytetarët e Republikës së Kosovës me pasaporta të rregullta, diplomatike ose zyrtare do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Tajvanit”, shkroi Ahmeti.

Sipas tij, kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm “brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”.

Kjo mundësi e re për lëvizje të lirë me Tajvanin vlerëson se hap rrugën për partneritete ekonomike, shkëmbime arsimore dhe bashkëpunim kulturor midis dy shoqërive tona.