Belgjika ka një nga qytetet më interesante evropiane: Charleroi! Ky artikull i kushtohet një qyteti që dikur ishte shpallur “më i shëmtuari në botë” dhe falë këtij titulli arriti të tërheqë shumë vizitorë.
Qyteti, i cili është rreth 50 kilometra larg Brukselit, ndodhet në brigjet e lumit Sambre, në një zonë që identifikohej me industrinë dhe qymyrin, pasi ndodhet në qendër të të ashtuquajturit Pays noir (Vendi i Zi), rajoni qymyrmbajtës i Belgjikës.
Megjithëse shumica e minierave dhe fabrikave janë mbyllur për dekada, peizazhi dominohet nga grumbujt e pluhurit të qymyrit dhe ndërtesat e vjetra industriale të braktisura. Ky peisazh gri plotësohet nga moti zakonisht me re, ndërsa Janari dhe Dhjetori kanë më pak se 50 orë diell në muaj.
Këto bashkë me raste të shumta të krimeve dhe papunësisë së lartë “kontribuan” në deklarimin e tij si qyteti më i shëmtuar në botë, nga gazeta holandeze De Volkskrant e shumë media të tjera.
Termocentrali i braktisur në Charleroi:
Por siç e dimë çdo reklamë është reklamë e mirë. Kështu, pas një sërë titujsh negativë, qyteti filloi të priste vizitorë. Madje artisti i njohur Nicolas Buissart ofron një nga turnetë më të veçantë në Evropë: safari i tij urban fokusohet në “shëmtinë” e qytetit. Vizitorët kalojnë komplekse industriale të braktisura si dhe grumbuj skorjesh. “Të rinjtë nuk e kanë jetuar epokën e industrisë dhe e imagjinojnë atë në një mënyrë romantike,” shpjegon ai në një intervistë për Deutsche Welle.
Bashkia në Charleroi:
Në këtë qytet, në vitin 1956 ndodhi një aksident industrial gjigant, i cili mori jetën e 262 njerëzve. Sot, zona e ish-minierës së qymyrit është shpallur një sit i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO dhe për këtë histori tragjike ekzistojnë ndërtesa të ruajtura, instalime mekanike të minierës së qymyrit dhe dy muzetë kushtuar industrisë. Një tjetër pikë kryesore e kësaj “xhungle urbane” janë stacionet hekurudhore, ndërtimi i të cilave përfundoi rreth 30 vjet më parë, por nuk u vu kurrë në funksion.
Charleroi është gjithashtu një nga vendlindjet e skenës së famshme komike belge. Nëse rruga juaj ju sjell në këtë anë të Belgjikës, ia vlen të vizitoni edhe Muzeun e famshëm Fotografik të qytetit i cili mbulon të gjitha periudhat e historisë së fotografisë me ekspozita të përhershme.
“Charleroi ishte dikur një nga vendet më të pasura në Evropë,” thotë Buissart , i cili është i bindur se qyteti i tij do të lulëzojë përsëri./tvklan.al
Më poshtë disa foto të qytetit:
Muzeu i Fotografisë
Kisha e Shën Christopher
Muzetë “The Bois du Cazier”
“The Belfry“