Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurti ka vendosur që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe të urdhërojë regjistrimin e 24 hektarëve tokë për Manastirin, transmeton Gazeta Metro.
Rama ka thënë se e mbështet plotësisht këtë vendim të Qeverisë së Kosovës për të implementuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Rama ka thënë se inkurajon liderët e Kosovës që të punojnë me aleatët kryesor për të treguar që Republika e Kosovës është vërtetë një partner i rritur dhe i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik.
“Unë e mbështes plotësisht vendimin më mirë vonë se kurrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit. Unë inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”, ka shkruar Rama.
I fully support the better late then never decision of the Government of the Republic of Kosova to implement the Constitutional Court decision concerning the Decani Monastery. I encourage Kosova leadership to continue working with our joint key allies in demonstrating that the…
— Edi Rama (@ediramaal) March 13, 2024
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Kurti ka thënë se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.