Albion Rrahmani është lojtari i ri i Rapidit të Bukureshtit. Skuadra rumune e ka prezantuar të hënën sulmuesin kosovar.
Rrahmani i është bashkuar Rapidit nga Ballkani, ekip që ka përfituar 600 mijë euro nga shitja e tij. 22-vjeçari me Rapidin ka firmosur kontratë trevjeçare dhe ka thënë se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e këtij ekipi.
Po ashtu, Rrahmani ka thënë se ka zgjedhur Rapidin për shkak të projektit që i është prezantuar dhe ka shtuar se me padurim pret të debutoj për këtë klub për t’i dëshmuar vlerat e tij.
Rrahmani prej vitit 2021 ishte pjesë e Ballkanit, ekip me të cilin ka fituar tre trofe, përfshirë këtu dy tituj kampioni dhe Superkupën e Kosovës.
Ai ka luajtur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës edicionin e shkuar dhe ishte ndër sulmuesit më të spikatur në kampionatin e Kosovës.
Në 50 ndeshje të luajtura edicionin e shkuar, Rrahmani realizoi 30 gola dhe bëri 8 asistime për Ballkanin në të gjitha garat.
Ai bëhet futbollisti i dytë brenda këtij viti që largohet nga Ballkani për ta vazhduar karrierën në Rumani. Para Rrahmanit, një lëvizje të tillë e ka bërë edhe Ermal Krasniqi, i cili është transferuar te Cluji.