Rebelët hapin albumin e familjes Assad, nxjerrin fotot e veçanta të diktatorit sirian

Momente të panjohura nga jeta e Bashar al-Assad janë ekspozuar për publikun e gjerë përmes dhjetëra fotove, të cilat rebelët i kanë gjetur në pallatin mbretëror dhe i kanë postuar në rrjetet sociale.

Assad kishte këmbëngulur në intervista se familja e tij bënte një jetë të klasës së mesme, por nga fotot e shtëpisë së plaçkitur të familjes, duket se lideri i regjimit, fëmijët dhe bashkëshortja e tij “notonin” në pasuri.

Siç raporton media britanike Sky News fotot që rebelët kanë publikuar tregojnë edhe shtëpinë kryesore të ish-diktatorit, gruas së tij me origjinë britanike, Asma, dhe fëmijëve të tyre, në të cilën ata ruanin edhe thesaret personale.

Civilët dhe rebelët sirianë kanë plaçkitur pjesën më të madhe të shtëpisë, së bashku me garderobën e Asmas, ndërsa dyshemeja është mbuluar me kuti të panumërta plot bizhuteri, antike dhe sende të stilistëve më të njohur.

Në katin e poshtëm të shtëpisë janë gjetur edhe dosje të ndryshme. Midis tyre ishin të dhënat bankare me emrin e vajzërisë së Asmas, të cilat përfshinin shuma marramendëse deri në 22.5 milionë dollarë.

Në shtëpinë e përmendur të familjes Assad, u gjet edhe vendi ku Asma ruante kujtimet e saj të preferuara nga jeta familjare.

Konkretisht, kishte dhurata që i kishin bërë fëmijët e saj, foto familjare të Asadëve gjatë pushimeve, madje edhe foto të Bashar al-Assad duke notuar.