Kanë mbërritur në Shqipëri 16 refugjatët e parë që do të strehohen në kampin e ngritur nga Italia pas marrëveshjes Rama-Meloni. Ata janë shtetas nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët u sollën në vendin tonë nga anija e Marinës italiane Libra.
Sipas marrëveshjes, në kampin e Gjadrit do të strehohen vetëm meshkuj, të cilëve do t’u verifikohet kërkesa për azil, e nëse do t’u miratohet do të dërgohen në Itali, në të kundërt do të kthehen në vendet e origjinës.
Të martën, kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni ka mbrojtur marrëveshjen me Shqipërinë në Kuvend. “Italia ka dhënë një shembull të mirë duke nënshkruar protokollin Itali-Shqipëri për të trajtuar kërkesat për azil në territorin shqiptar, por nën juridiksionin italian dhe europian. Dy objektet sipas protokollit, Qendra Shëngjin dhe Gjadër, janë tashmë gati dhe funksionale. Është një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë, por që pasqyron në mënyrë të përsosur frymën evropiane dhe që ka të gjitha kushtet për një rrugë të mirë për të ndjekur edhe me vendet e tjera jashtë BE-së. Gjithashtu falënderoj sërish kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe gjithë qeverinë e tij që besuan bashkë me ne mirësinë dhe efektivitetin e kësaj nisme”, tha Meloni.
“Plani Itali-Shqipëri është një mënyrë për të anashkaluar përgjegjësitë për azilin. Është një përpjekje tjetër për të militarizuar kufijtë dhe për të deleguar përgjegjësitë për mbrojtjen e njerëzve në lëvizje në shtete të tjera për t’u siguruar që sytë e sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile nuk mund të monitorojë, denoncojë dhe mbrojë ata njerëz. Është e qartë që nuk është një çështje për hapësirë. Për fat të keq, kjo është një qasje që po shikohet me interes nga shtetet e tjera anëtare dhe kjo është simptomë e drejtimit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian, i cili përfundimisht nuk është drejt mbrojtjes së njerëzve, por ndaj mbrojtjes dhe sigurimit të BE-së. Kufijve evropianë”.
Duke folur nga Brukseli në ditën e hapjes së kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama i mbylli edhe një herë derën mundësisë së marrjes së azilkërkuesve në Shqipëri nga vende të tjera, përmes marrëveshjeve si ajo e nënshkruar me Italinë, shkruan A2 CNN.
“E kam shpjeguar disa herë pse Shqipëria e ka bërë këtë marrëveshje dhe si e shohim ne këtë dukuri. Së pari, po, na është kërkuar nga të tjerë dhe kemi thënë jo. Së dyti, të gjithë duhet të kooptojnë se marrëdhënia jonë me Italinë është mjaft e veçantë dhe shkon pas mijëra vjet dhe po kështu shkon pas në kohë me një volum domethënëse ndërveprimi gjatë më shumë se 30 viteve të fundit, që kur dolëm nga gropa e ferrit e regjimit më mizor komunist në Europë”, tha Rama.
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë është mbështetur nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, por është kundërshtuar nga disa organizata ndërkombëtare, sipas të cilave shkel të drejtat e njeriut.
Numri i refugjatëve që arrijnë në Itali përmes rrugës së Mesdheut ka rënë me 61% gjatë vitit 2024, në krahasim me një vit më parë. Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, deri në 15 tetor, 54 129 emigrantë kanë arritur në Itali këtë vit, në krahasim me 128 947 emigrantë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.