Republika e parë shqiptare dhe Dr. Haki Mborja dëshmori i parë i saj

Në librin e Eqerem Bej Vlorës “Kujtime 1885-1925”, krahas shumë fakteve, flitet edhe për protogonizmin personal të shqiptarit. (shembulli kur dy barinj u zunë dhe e thirrën për pajtim Ismail Qemalin e ju lutën atij që, nëse ne pajtohemi, po e merr vesh edhe telegrafi i Evropit)…

E nisim kështu këtë shkrim për përvjetorin e Republikës së Shqipërisë, sepse mendoj se, më shumë në historinë e saj, jemi prirur ta përshkruajmë nga protogonizmi i politikanëve… Vetëm, sovranistët më të mëdhenj të këtij kombi, siç edhe lexohet në BISEDIMET E KËSHILLIT KOMBËTAR “SENAT” LEGJISLATUR E PARË – Çilja e parë “KËSHILLIT KOMBTAR”, më 27. III. 1920, ishin anëtarët e këtij parlamenti dhe Këshilli i Naltë.

Në fjalën e parë të këtij parlamenti, Shqipëria ishte e mirëpërcaktuar në politikën e saj pro perëndimore, aq kthjellët e me patriotizëm, sa dikush që ka ëndje ta lexojë atë hapje të punimeve, e kupton largpamësinë poltike të atyre burrave sikur të ish shkruajtur për 200 vjetët e ardhshëm të Shqipërisë politike.

“Të ndershmit Këshilltar të Kombit,

Zotnij!

“Në Kongres të Lushnjës qi u-çel më 21 Kallnuer 1920, ishte vendos që Këshilli Kombtar të çelej më 15 të këtij muejit. Jemi shumë fatbardhë qi sot ndodhemi në të parit Parlamentit Kombëtar. Kurrë u çpallë vetqeverimi i Shqipnisë më 28 Nanduer 1912 në Vlonë ishte vendosë mbledhja e nji Senatit, por nuk u mblodh, më 25.X.1918: përsëri në mbledhjen e Durrsit ishte vendos mbledhja e një Senatit të fortë, por edhe ky nuk u mblodh. Prandaj jeta e Parlamentare e Shqipnisë, fillon me Zotninë tuej.

Kombi Shqiptar, këtë radhë e rrëfeu plotësisht që kishte arrirë në një shkallë përparimi e qytetërimi ma shumë të naltë nga ajo qi kujtojshin ata që nuk e njifshin mirë Shqipninën.

Kongresi i Lushnjës me veprat e tija patriotike e çpalli se, ideali Kombëtar asht bashkimi e jo nji lojë për persona. Qëllimi Kombëtar, asht indipendenca e plotë dhe mprojtja e Atdheut. Me fqinjt t’anë Jugosllavët e Grekët, kemi dëshirë të plotë me rrojtë në armoni miqsore. Kemi shpresë të madhe se, edhe fqinjt t’anë kanë me i njoft të drejtat t’ona etnike e jetike. Shpresojmë se Italia tue e marrë para syesh vullnetin e përbashkët të Kombit Shqiptar do të ndryshojë politikën që ka pasun deri tash mbi çashtjen Shqiptare dhe do të bëhet edhe ajo anëtarja e indipendencës dhe integritetit të plotë të Shqipnisë, dhe kështu së bashku dhe Ingliterra e Franca që janë rrëfyer gjithmonë mbrojtës për lirinë e popujve të vogël, kanë me qenë mirdashës për çashtjen t’onë Kombëtare. “Në këtë çast historik e shohim si nji detyrë të nderit të kutojmë me falenderime të posaçme ndërmjetësinë njerëzore dhe drejtësore qi po ban i Nalti dhe i Shkëlqyeri Presidenti i Sh.B t’Amerikës Zoti Willson tue përfaqësuar kombin e math t’Amerikës, këjo mirësie nuk ashtë për t’u harrue kurrë nga ana Kombit Shqiptar, jemi fare të sigurtë qi kombi i naltë i Amerikës që ka shpallë parimet e njerëzimit e të Drejtësisës edhe të tanë kërkimet e drejta Kombtare t’ona do të jetë një ndihmës i fortë. Përpara gjith njerëzimit të qytetnuem, Shqipnia paraqitet në kët lutje: Drejtësi kërkojmë dhe e drejta do të na epet.”

Ky fjalim kaq parimor i kristalt si uji i bjeshkëve të Shqipërisë dhe i vërtetë si drita e diellit në gojën e parlamentit të parë shqiptar mbaron me fjalën drejtësi. Drejtësi u kërkonim të tjerëve për të drejtat tona të mohuara e sot gjendemi në plazmën e kësaj fjalie për drejtësinë e shqiptarëve për shqiptarët. Ky parlament i viteve 1920, siç dihet, u ndesh me poltikën dhe diplomacinë në mbrojtje të Shkodrës në Veri të Shqipërisë e të Gjirokastrës në Jug, po edhe në polemikë me Italinë për çështjen e Vlorës. Ky parlament, me fjalimet e shkëlqyera të Hil Mosit, Sejfi Vllamasit e Qazim Koculit u kërkoi llogari Ministrit të Jashtëm e Kryeministrit të kohës, se si përfaqësohej çështja shqiptare në Konferencën e Paqes. Moment prekës është fjalimi i Senatorit të Vlorës Z. Spiro Koleka, i cili në fjalën e tij hyrëse shprehet tejet i hidhëruar që, dy pjesë të Shqipërisë, Kosova e Çamëria nuk përfaqësohen në këtë Këshillën Kombtare e dëshiron që ky hidhërim të shfaqet prej të gjithëve e të mbahet proces-verbal. Po në sa e sa fjalime u morën masa për gjendjen e rendit publik dhe drejtësisë të mbajtura nga ky parlament. Shtroheshin probleme të tilla se nuk kishte shkolla e specialistë për xhandamëri apo drejtësia duhej të aplikonte ligje perëndimore e sa më parë të vinin specialistë nga Amerika edhe Evropa për organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo rendje për ta parë foltoren parlamentit si një organizëm ligjbërës është ku e ku sa vite larg nga termi që përdoret sot “Ligjvënës”.

T’i kërkoje llogari Ministrit të Financave nuk ishte kollaj e ky fenomen u zgjidh duke i dhënë status Këshillit Kombëtar e më pas, morën rrugë taksat për bagëtinë në veri të vendit e taksa për kripën, e gjithashtu taksat për alkolin që vinte nga jashtë. I takoi këtij parlamenti që të kërkonte llogari nëpërmjet fjalimit të Fazlli Frashërit për “Kastoldin”, të ashtuquajturin Komisioner të Lartë i cili bënte një politikë antishqiptare në Shkodër, Durrës e Vlorë, pa marrë mandatin nga parlamenti shqiptar. Aq i rëndësishëm u bë ky parlament në themelet e shtetit shqiptar, sa autorizoi Qeverinë të negocionte për një borxh financiar me ndërmjetësinë e shqiptarëve të Amerikës. Fakti që ky parlament reagoi me një zë ndaj veprimeve propaganduese të një përfaqësuesi të lartë të xhonturqëve me emrin Vebi, duke thirrur në interpelancë Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm, se “a kishin dijeni ata për arrdhjen e këtij politikani dhe pse nuk e kishin ndaluar qysh kur shkeli këmba e tij në Shqipëri?”.

Në këtë parlament lexohen me emocion të lartë letrat e Z. Turtulli dhe Imzot Bumçi, të cilët kishin përfaqësuar çështjen shqiptare në parlamentin anglez me fakte e argumenta të vërteta e me dokumenta të pakontestueshme përkundrejt të gjitha shpifjeve të armiqve të çështjes shqiptare. Shkruhet në origjinal emri i AHMED BEJ ZOGU, por është fjalimi i tij shumë sinjifikativ. Zogu ndër të tjera merr fjalën, kur thotë se “qeverria kurdoherë është e popullit edhe do të punojë mbas dëshirës së tij, sepse qeverrija sot nuk ka një “Xhandamari” të organizuar e të gjithë shpresën e vetë e ka në popull”. Krijimi i ministrive të Tregëtisë dhe të Bujqësisë është një nga diskutimet më me vlerë të këtij parlamenti. Palët ndahen mes dy opinioneve për organizimin e ministrive të bujqësisë dhe asaj të tregëtisë. Z. Arqemandriti e quan të parakohshme krijimin e këtyre ministrive, sepse nuk kemi buxhet dhe na duhen njerëz të shkolluar. Po ashtu edhe Ramiz Daci nuk e shikon të arsyeshme ngritjen e këtyre ministrive. Për Kol Thaçin përfaqësuesin e Shkodrës e Sejfi Vllamasin janë të mendimit për krijimin e këtyre ministrive si baza ekonomike e Shqipërisë. Është detyrë parësore e duke marrë si model zhvillimin e bujqësisë në Greqi e cila siç del nga diskutimet ishte organizuar nga specialistët e huaj me përvojë perëndimore. Këtij parlamenti i ra barra për tu marrë me refugjatët shqiptarë dhe popullsinë e krahinës së Dibrës të shpërngulur në Shqipërinë e Mesme. Problemi i një shkolle shqiptare janë nga diskutimet më të vyera të Hil Mosit. E do të gjente një hapësirë kohore në këtë parlament me halle shumë edhe diskutimi për një vëmendje më të madhe për familjet e njërëzve të shquar të këtij kombi. Ja si shprehen ata në rastin e dhënies së pensionit për familjen e Ismail Qemalit. Z. Beqir Rusi thotë se: “populli shqiptar nuk duhet të harrojë mirësitë që i kanë bërë Z. Ismail Qemali, bej Vlora, kombit i cili ka qenë i vetmi që u hodh ndër rreziqe për të realizuar qëllimin kombëtar me ngritjen e flamurit dhe shpalli Shqipërinë e Pavarur. Duke i pas vlejtur kombit ky njeri kaq shumë sot është turp për këtë komb që fëmija i tija të mbetet rrugëve pa asnjë lloj ndihme. Qeverija thotë që i kemi caktue një pension prej 200 Lt në muaj e kjo ndihmë nuk shkoj shumë kohë edhe ju dhanë 25500 Lt. Me hidhërim të madh ju them se njëri nga djemtë e tij Z. Mahmud Bej ka vdekur në Itali dhe fëmijët e tij kanë mbetur rrugëve e si mundet të durohet kjo? Ai pyet për fëmijët e dëshmorit Themistokli Gërmenjit, çfarë masash janë marrë nga ana e qeverisë për ushqimin e tyre, si këta thotë ka edhe shumë të tjerë që i duhet siguruar një jetesë normale. Z. Irfan Bej Ohri shprehet se qeverija duhet të krijojë një arkë pensioni për të mirën e fëmijëve të atyre nënpunësve dhe oficerëve dhe ushtarëve të cilët janë vrarë ndër luftra për shpëtimin e atdheut”.

Interes të veçantë tregon parlamenti kur kryetari Xhemal Naipi hap bisedimet për çështjen e Avni Rustemit nëse duhet të dërgohet një letër lutjeje faljeje nga ana e parlamentit shqiptar në drejtim të parlamentit të Francës. Në përfundim të diskutimit u pa e udhës kjo detyrë ti caktohej qeverisë.

Vitet 1920-1924 ngjarjet në Shqipëri zhvillohen herë si ngritje e ndërgjes politike me krijimin e partive politike për të shprehur më mirë qëndrimet e tyre politkanët si përfaqësues të popullit dhe herë me një lëvizje politike agresive dhe në dëm të interesave të Shqipërisë. U krijuan Partia Popullore, e para parti shqiptare në histori. Si parti me frymë antikonservatore, liberale e përparimtare kishte në gjirin e saj Fan Nolin, Ahmet Zogun, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj. Por Ahmet Zogu u shkëput nga kjo parti pas përplasjeve se sipas tij, “Shqipërisë i duhej një shtet i fortë dhe nuk kishte ardhur koha për reforma demokratike dhe liberale”, ndaj edhe u shkëput nga “Partia Popullore” dhe iku tek  “Partia Përparimtare” kundërshtare, e cila përfaqësonte familjet e pasura të vendit. Kryeministrat dhe qeveritë binin njëra pas tjetrës dhe në qershor Fan Noli me mbështetësit e tij erdhi në pushtet. Qeveria e tij u njohë vetëm nga Bashkimi Sovjetik, një shtet që po shfaqej në arenën ndërkombëtare si fuqi botërore, me resulse të mëdhaja natyrore dhe kish hapur të parën ambasadë në shtetin Italian. Megjithëse Noli në takimin me Duçen, në Itali, kërkoi njohjen e qeverisë prej tij. Ai e priti me pompozitet dhe u çudit me erudicionin e Nolit, por pa i dhënë njohjen e qeverisë së tij. Ahmet Zogu me përkrahjen e Jugosllavëve erdhi në Shqipëri nga fundi i vitit 1924 dhe u rikthye në pushtet.  Në mbledhjen e parë të Këshillit të Naltë u vendos që Shqipëria të Shpallej Republikë. “STATUSI THEMELTAR I REPUBLIKËS” shpalli se: “Kombi Shqiptar i lirë dhe independent, kryenaltë për kohën e tij të kalueme dhe plot besim për kohën e ardhëshme, në Kuvendin Kushtetues vendos këtë Statut”.

Dispozita e të Përgjithshme

Art. 1. Shqipëria asht Republikë Parlamentare e Kryesueme prej nji Kryetari. Sovrani buron prej popullit.

Art. 2. Republika Shqiptare, asht indipendente, e pa –ndame, tanësija tokësore e sajë e padhunueshme edhe toka e sajë e patjetërsueshme.

Art. 3. FLAMURI KOMBËTAR, asht i kuq me shqipe të zezë dy krenshe në mes.

Art. 4. Shqipja asht gjuha zyrtare.

Art. 5. Republika Shqiptare s’ka fe zyrtare.

Të gjitha fet e besimet janë të nderueme dhe lirija e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyne asht e sigurueme.

Feja nuk mund të formojë pengime juridike me as-nji mënyrë.

Fet dhe besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike.

Art. 6. Tirana asht Kryeqytet i Shqipnis 

Art. 7. Pushteti legjislativ ushtrohet prej Senatit e Dhomës së Deputetëve sim bas këtij Statuti.

Art. 8. Pushteti përmbarues i përket vetëm Kryetarit të Republikës, i cili ushtron me anën e Ministravet.

Art. 9. Pushteti gjyqsuer ushtrohet prej gjykatavet dhe vendimet e tyne epen n’emën të Republikës Shqiptare.

DHOMA E DEPUTETËVET

Art. 10. Përfaqësija Kombëtare përmblidhet në dy trupa; prej Dhomës së Deputetëve, e përbame prej deputetësh të zgjedhun nga populli dhe prej Senatit, i përbam prej Senatorve të zgjedhun si mbas ligjës së posaçme.

Më 1 shtator të vitit 1928, një Asamble Kushtetuese e cila ishte zgjedhur me votimet që u mbajtën më 16 gusht të atij viti dhe kryhesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me me unanimitet të plotë për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, duke e kthyer vendin nga Republikë, që ishte deri në atë kohë, në Monarki parlamentare. Presidenti i Republikës Ahmet Zogu u shpall si Mbret i Shqiptarëve. Kulisat e pushtetit “Bizantin”, vrasjet dhe helmimet u bënë një mënyrë e mbajtjes së pushtetit në kohën e Ahmet Zogut. Shembull më i veçantë është rasti me rilindasin e shquar, Doktorin e shkencave të mjekësisë ligjore, Haki Mborja. Deputeti që mori vota më shumë se krzetari i partisë Popullore të Zogut, Fazlli Frashëri, dhe i dyti deputet më i votuar në gjithë parlamentin, pas Avni Rustemit që ishte depuetet i Kosovës.

DR. Haki Mborja, fillimisht e përkrahu Ahmet Zogun si President i Republikës…, për hir të Shqipërisë, nd;rsa qe i vetmi që e kundërshtoi për Monarkinë. Në mars të 1931, te “Republika” e tij e Bostonit, kur shkruan për vdekjen e Dr. Haki Mborjes, mes të tjerash, Noli shkruan: “…Kur Zogu u prokllamua sulltan, doktor Haki Mborja, si republikan i bindur që ishte, nuk ia dha votën dhe nuk shkeli më në Tiranë. Ish i vetmi nga asambleistët që guxoi e bëri një trimëri të tillë nën terrorizmën e malokut mercenar”.

Për vdekjen e menjëhershme të 50-vjeçarit Haki Mborja, ato ditë, e gjithë Korça foli: “E farmakosi Zogu”. Vunë gishtin edhe te personi që kreu porosinë e Mbretit, një farmacist që i përgatiti “hilaçin e reumatizmës”. Si mund t’ia falte satrapi Zog, asambleistit të vetëm që e kundërshtoi botërisht mbretërimin dhe i flaku tej mandatin e deputetit? 

Hakmarrja e Zogut, siç e tregon edhe shtypi i kohës, vazhdoi me familjarët e Dr. Haki Mborjes, duke i lënë pa pensionin që i takonte:

Gazeta “ORA” e datës 21 maj 1932 tregon se edhe një vit e gjysmë pas vdekjes së Hakiut, Zogu nuk ia jep pensionin që i takonte familjes së atij që gjithë jetën dhe pasurinë e shkriu për Shqipërin

Historia e Republikës sonë është plot me dallgë e furtuna, tw cilat vinin herë nga lindja dhe here nga perëndimi dhe sa herë ka kriza që i krijojnë politikanët, kujtohemi se, gjoja do të krijojmë Republikën e Re. Shqipërisë nuk i kanë munguar as ligjet dhe as kushtetutat, por siç e thoshte dikur i madhi At Gjergj Fishta: “Më lehtë mbush një thes me pleshta, se sa bën bashkë dy shqiptar”. Perëndimin e kemi tek dyert e vendit, mjafotn pak modesti dhe përulësi ndaj popullit që të zgjedh si përfaqësues çdo katër vjet e mos ia grabisje as votën dhe as pasuritë kombëtare me ligje antikombëtare…

_____

Përgatiti Kastriot KOTONI