Prindërit e aktorit Alban Ukaj nga Prishtina kanë vizituar Sarajevën vetëm dy herë përgjatë 22 vjetëve sa ai jeton atje. Ata nuk e vizitojnë sepse për këtë u duhen vizat, dhe procedurat [për pajisje me vizë] janë të vështira dhe e vrasin dinjitetin, thotë Ukaj.
Njoftimet se vizat mund të hiqen pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, nga nëntori i vitit 2022, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë të diskutueshme pas bllokimit të ri nga entiteti “Republika Srpska” (RS).
“Do të vijë koha për të marrë përgjegjësinë për rrezikimin e lirive themelore të njeriut”, thotë Ukaj duke komentuar njoftimin e politikanëve nga entiteti i ‘Republikës Srpska’ për bllokimin e mëtejmë të marrëveshjes.
Heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar prej vitesh nga politikanët nga Bosnja dhe Hercegovina, entitete të kryesuara nga presidenti Millorad Dodik, që është në krye të Aleancës qeverisëse të Social- Demokratëve të Pavarur (SNSD).
Deputetët e Asamblesë Kombëtare të RS-së do të diskutojnë për veton e anëtares së Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, e cila deklaroi se është mbivotuar në seancën e fundit të kreut kolektiv të shtetit, të martën, më 27 qershor.
Bllokada të reja po afrohen pas fjalimit të fundit të Cvijanoviq, përndryshe zyrtare e SNSD-së, e cila e ka quajtur këtë çështje si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Srpska.
Cvijanoviq ka përmendur inicimin e vetos për shkak të “përshkallëzimit të krizës në veri të Kosovës”, duke thënë se “regjimi” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk meriton përfitime”.
Më 21 qershor, ajo paralajmëroi inicimin e vetos, si një mundësi kushtetuese për anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, e cila do të çimentonte më tej marrëveshjen për regjimin pa viza.
“Kjo i përket shekullit XV dhe vret dinjitetin njerëzor. Koha kalon dhe ne nuk e kthejmë dot. Prindërit po plaken, ne po plakemi dhe kjo është gjëja më tragjike për mua”, shprehet aktori 43-vjeçar, Alban Ukaj, i cili ka lindur në Prishtinë, ndërsa jeton dhe vepron në Sarajevë.
Ai shton se nuk e përjashton mundësinë që për shkak të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut, t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Ku e sheh problemin Cvijanoviqi?
Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në nëntor të vitit 2022 si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa dy marrëveshjet tjera janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.
Në rastin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës kjo nënkupton edhe heqjen e regjimit të vizave, i cili prej vitesh i ka rënduar banorët e të dyja vendeve.
Megjithatë, politikanët nga Republika Sërpska refuzojnë ratifikimin, edhe pse ish-kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili është anëtar i partisë së Dodikut, ishte një prej nënshkruesve të atij dokumenti në Berlin, vitin e kaluar.
“Në parim, unë jam për lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, por në këto rrethana, Prishtina tani nuk mund të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Cvijanoviq më 21 qershor për Radion dhe Televizionin e “Republikës Sërpska” (RTRS).
Inicimi vetos u bë pasi u mbivotua në seancën e Presidencës së BeH-së, kur u shpreh kundër konkluzioneve për miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, për njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.
Konkluzionet për miratimin e atyre marrëveshjeve, për të cilat u dakordua në kuadër të Procesit të Berlinit, u mbështetën nga Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, kolegë të saj në Presidencën e Bosnje e Hercegovinës.
Ndërkohë, lëvizja e Zheljka Cvijanoviqit u mirëprit nga shefi i partisë së saj dhe presidenti i “Republikës Sërpska”, duke theksuar se ai është “përgjegjës për mbrojtjen e pozicioneve të RS-së dhe se Asambleja Kombëtare do ta mbështesë atë me një shumicë prej dy të tretash”.
Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës përcakton se një anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës mund ta shpallë një vendim të Presidencës, me të cilin nuk pajtohet, shkatërrues për interesin jetik të subjektit për territorin nga i cili është zgjedhur.
Në këtë rast, Kushtetuta parashikon që Asambleja Kombëtare e “Republikës Sërpska” të iniciojë veton dhe nëse merr mbështetjen e deputetëve, konkluzionet e Presidencës nuk do të kenë efekt.
Në mënyrë që iniciativa e vetos e Zheljka Cvijanoviqit të “jetësohet”, duhet të mbështetet nga dy të tretat e përfaqësuesve të Asamblesë Kombëtare të RS-së, pra 56 nga gjithsej 83.
A po bie Procesi i Berlinit?
Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, vlerëson për REL-in se në rast se Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska e mbështet veton, “marrëveshjet e Procesit të Berlinit do të bien”.
Konakoviq pretendon se koalicioni qeverisës në nivel shtetëror ka arritur më parë një marrëveshje për miratimin e dy marrëveshjeve, të cilat i referohen njohjes së kualifikimeve profesionale dhe diplomave universitare në Ballkanin Perëndimor.
Mbështetja parimore për këto dy marrëveshje u dha në seancën e Këshillit të Ministrave të Bosnjës më 19 prill, kur u tha se marrëveshja e tretë, ajo për letërnjoftimet, do të ishte objekt i një marrëveshjeje të mëvonshme politike.
Sipas rregulloreve aktuale, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të miratohen nga Këshilli i ministrave të Bosnjës dhe Presidenca e BeH-së, pas së cilës ato ratifikohen nga Parlamenti i këtij shteti.
“Është një marrëveshje për të gjitha vendet, jo vetëm për Kosovën. Ata [politikanët nga Republika Sërpska] ishin të gatshëm të mbështesnin dy dhe pastaj në seancën e Kryesisë ishte edhe një e tretë. A do të reagojnë me veto për shkak të revoltës? Nuk e di. Kjo tregon se konfliktet dhe mbivotimet nuk sjellin asgjë dhe ne po bëjmë pesë hapa prapa”, thotë Konakoviq.
Ndryshe, Qeveria në nivel shtetëror në BeH përbëhet nga SNSD-ja, Partia Demokratike Kroate e BeH-së (HDZ) dhe disa parti të mbledhura rreth Partisë Socialdemokrate të Bosnjës.
“Në Këshillin e ministrave të Bosnje e Hercegovinës, ne e kemi përfunduar punën tonë, si dhe Presidenca e BeH-së, dhe Parlamenti tani duhet ta ratifikojë. Megjithatë, nëse Asambleja Kombëtare e RS-së e refuzon, atëherë procesi është i bllokuar”, thekson Konakoviq.
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale u nënshkruan në nëntor të vitit të kaluar nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Që të fillojë zbatimi, është e nevojshme që dokumentet të ratifikohen në parlamentet e secilit prej vendeve brenda 18 muajve.