Kosova, të martën mori lajmin nga Franca se është renditur thuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Ky rezultat sipas të parës së Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci ka qenë i pritshëm.
Për këto rezultate Insajderi ka kontaktuar edhe kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn.
Ai i ka bërë thirrje ministres për bashkëpunim, teksa ceku që duhet investim e fokus më i madh në arsim.
“Publikimi i rezultatit të testit PISA dje ishte një lajm që nuk besoj që e ka lënë askënd pa e shqetësuar, pra një lajm i hidhur – pozita që Kosova ka në këtë test është për të shprehur shqetësim dhe ne e përgëzojmë që më në fund Zonja Nagavci ishte pak më e matur në deklaratë dhe ne përmes medias tuaj iu drejtohemi asaj me apel që sa më parë që të jetë e mundur, t’i thërras të gjitha palët që janë të ndërlidhura me arsim por edhe Akademinë e Shkencave e Arteve ku konsideroj që është mendja e këtij vendi, kokat më të ndritura bashkë me përfaqësuesit e SBASHK-ut, bashkë me ekspertët e mirëfilltë të ulemi bashkë dhe ta punojmë një platformë gjegjësisht ta krijojmë një kënd të përbashkët të angazhimeve, rezultatet e këtij testi na obligojnë të ulemi bashkë dhe jo të mbajmë inate”, ka deklaruar ai për Insajderin.
I pyetur mbi arsyetimin e Nagavci që për shkak të pandemisë ky rezultat ka qenë i pritshëm, Jasharaj thotë se ky është vetëm njëri prej faktorëve.
“Ajo mund të jetë njëra nga faktorët që ka ndikuar sepse ministria dhe qeveria duhet të thonë edhe atë pjesën tjetër, shkollat në kuptimin e mjeteve që kanë brenda janë të pa përgatitura, ngase shkollat nuk ishin të dixhitaliruara, mësimdhënësit nuk kishin mjete të komunikimit me ato platformat, dhe ne zhvilluam një betejë të jashtëzakonshme për të arritur sado pak, por është njëri nga faktorët”, ka thënë Kreu i SBASHK-ut.
Rezultate të tilla thotë se ka pritur edhe vet Jasharaj, duke numëruar një varg veprimesh sipas që janë marrë në mënyrë të gabuar nga Qeveria Kurti përkatësisht MASHT-i.
“Por, konsiderojë që zonja Nagavci duhet ta ngris zërin në qeverinë Kurti bashkë me partinë tyre që dikur kishin fjalë të mëdha dikur, t’i kthehen në mënyrë të duhur arsimit, të ndajnë mjete që shkolla në Kosovë t’i ngjajë shkollave të shekullit 21 të zëvendësohen shkumësi dhe shpuza dhe tekstet sepse ne arritëm gati në fund të tetorit për t’i pasur krejt nxënësit e pajisur me libra shkollor. Duhet pasur një qasje krejt ndryshe ndaj arsimit jo vetëm fjalë të mëdha, t’i lëmë deklaratat që nganjëherë janë fyese dhe ofenduese që e kanë lënduar bukur shumë figurën e mësuesit. T’i lënë inatet që i kanë për grevën e të ulemi bashkë për të dalë mirë në testin PISA”, potencoi ai.
Ai bëri thirrje që në arsimin kosovar të investohet më shumë, mes tjerash thekson se “përderisa ende punojmë me shkumësa e shpuza”, nuk mund të presim rezultate më të mira as në testet e ardhshme.
“Për sa kohë vazhdojmë t’i kemi shkollat në këtë situatë me shkumësa e shpuza dhe me deklarata e kundërshtime e me prova se a duhet të dërgohen tekstet shkollore në shkolla apo librari, kur për 2 muaj u bë debati për tekste shkollore në vendet e zhvilluara kanë projektor e tabela të mençura, kanë qenë rezultate të pritshme”, theksoi Jasharaj.
Kosova në testimin e fundit për vitin 2022 ka dalë dobët në vlerësim dhe më dobët se rezultati i vitit 2018. Në lexim, në matematikë e shkencë Kosova ka zënë pjesën e fundit të tabelës.
Për matematikë, Kosova renditet në vendin e shtatë prej fundit të listës, me 355 pikë, apo krahasuar me vitin 2018, 11 pikë më pak.
Në shkencë, Kosova renditet e katërta prej fundit, me 357 pikë, apo tetë pikë më keq sesa në vitin 2018.
Sa i përket leximit, Kosova po ashtu zë fundin e tabelës, me 342 pikë apo 11 pikë më pak se në vitin 2018.
Për këto rezultate, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kanë qenë të pritshme. Tha se, ky cikël i testimit është organizuar në periudhën menjëherë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me shumë vështirësi në Kosovë.
“Në testin PISA 2022, nga Kosova kanë marr pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënës nga 229 shkolla. Rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit që u organizua në pranverë të vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvillua me vështirësi të madha nga distanca dhe me ndërprerje”, ka thënë Nagavci të martën para gazetarëve.
“Ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare, është konstatuar se për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pësuar rënie në të nxënë dhe këto janë dëshmuar në testime të ndryshme”, deklaroi ministrja.