Rihapet tenderi 2 miliardë Lekë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë (Dokumenti)

Tre muaj pas bllokimit të procedurës së parë, Hekurudha shqiptare ka hapur sërish tenderin për studimin e fizibilitetit dhe projektit për linjën Durrës-Prishtinë. Një premtim i dy qeverive që po ecën me hapa të ngadaltë deri në bërjen realitet.

200 milionë lekë (2 miliardë të vjetra) është shuma që është vendosur në dispozicion për studimin. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për shërbimin e konsulencës është data 28 Gusht. “Fondi limit: 200,224,996 Lekë (dyqind milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e nëntë qind e nëntëdhjetë e gjashtë ) lekë pa TVSH.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë kjo vlerë konvertohet në  ose  1,981,052.7  (një milion e nëntëqind e tetëdhjetë e njemijë e pesedhjete e dy.shtate) Euro pa TVSH” thuhet në relacionin shpjegues të tenderit. Kohëzgjatja e kontratës ose afati për zbatimin e saj është 14 Muaj. Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë vlerësohet me një kosto të përafërt 700 milionë euro.

Çfarë ndodhi herën e parë?

Komisioni i Prokurimeve Publike në prill të këtij viti (lexo ketu) bllokoi tenderin për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë me argumentin se autoriteti kontraktor nuk ka zbatuar ligjin për skualifikimin e njërit prej konkurrenteve.

Kjo erdhi pasi njëri nga operatorët kishte bërë ankimim. Konkretisht shoqëria “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK, që është një nga shtatë kompanitë që morën pjesë në procedurën me fond limit 200 milionë lekë.

Në këto kushte Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK për procedurën e prokurimit “Shërbim Konsulence”. Hekurudha shqiptare e hapi tenderin nga e para.

/5pyetjet.al