Rijetësimi i Kalasë së Elbasanit – potencial kulturor e turistik

Investimi për rijetësimin e Kalasë së Elbasanit shihet si projekt e potencial të madh në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Kësisoj është përshkruar në ngjarjen kur është lidhur marrëveshja për këtë projekt. 

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për rijetësimin e Kalasë së Elbasanit, ka thënë se ky projekt është në funksion të turizmit. 

“Ka një fakt që duhet adresuar dhe përmbysur. Ndërkohë, Berati që e ka nisur procesin e rilindjes dhe transformimit në funksion të turizmit dhe e ka kthyer faktikisht turizmin në një motor të fuqishëm të ekonomisë vendore, ku Fondi ka patjetër kontributin e vetë në partneritete me ne, ka arritur në 800 mijë vizitorë dhe turistë”, ka thënë Rama. Në të dhënat që ka shpalosur ai, Elbasani tashmë ka nga 20 mijë deri në 25 mijë vizitorë. 

“Ndërkohë që vizitorët dhe turistët në Kalanë e Beratit ka kohë që kanë kapërcyer numrin e 100 mijë të tillëve, në kalanë e Elbasanit  janë rreth 4 mijë. Këto shifra mund dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e Kalasë”, citohet të ketë thënë kryeministri Rama.

Kryetari i Këshillit të Ministrave ka thënë se Kalaja e Elbasanit ka një histori dhe ka disa përbërës që ka një potencial të jashtëzakonshëm për nga aspekti i pranisë së religjioneve përmes simboleve të tyre brenda në Kala”.

“Nëse ne do të arrijmë të bëjmë një projekt të nivelit ‘kriminal’ të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, atëherë do të kemi absolutisht më shumë turistë. Besoj se duke shfrytëzuar gjithë këto komponentë të fshehur që ka Kalaja, ne do të arrijmë të kemi një rritje shumë të madhe të numrit të vizitorëve brenda në lagje. Kjo do të bëjë që vlera e pronës, e shtëpive në lagje të rritet eksponencialisht”, ka thënë Rama.

Kurse, nënkryetare e bashkisë së Elbasanit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për rijetësimin e lagjes “Kala” të Elbasanit, ka thënë se transformimi i saj do të jetë një fillim i ri jo vetëm për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por dhe për qytetarët e Elbasanit.

“Thonë se kalatë janë një rikthim tek e shkuara, por unë sot e shoh ndryshe. Për mua transformimi i ‘Kalasë’ do të jetë një fillim i ri jo vetë për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Ajo që sjellim sot këtu nuk është vetëm një akt i emancipimit mbi mënyrën si po qeverisen dhe zhvillohen qytetet tona, por është një portë e re e hapur drejt horizonteve të reja përmes jetësimit të kësaj hapësire dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, ka thënë Bylykbashi. Sipas saj, Kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike mbrojtjeje, por gjithashtu ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare kulturore dhe shoqërore për qytetin e Elbasanit ndër shekuj.

“Brenda mureve të kalasë janë zhvilluar dhe funksione të rëndësishme tregtare”, citohet të ketë thënë ajo. Sipas nënkryetares, bashkëjetesa e shumë objekteve të besimeve të ndryshme “brenda mureve të kalasë është një tregues shumë i rëndësishëm i asaj tolerance unike dhe bashkëjetese kulturore dhe fetare që ka karakterizuar ndër breza komunitetin e Elbasanit.

“Edhe sot kalaja e Elbasanit është një hapësirë me një jetë dhe dinamizëm. Kjo është një kala në të cilën ka dyqane artizanale, punishte tradicionale, restorante të cilat na ofrojnë një shije të mirë të kulinarisë tonë tradicionale”, ka thënë Bylykbashi.

Sipas të dhënave bashkiake, Kalaja e Elbasanit ndodhet në qendër të qytetit te Elbasanit dhe dikur ka qenë kështjellë ushtarake. Kalaja 2000-vjeçare është një ndërtim romak, ngritur në fillim të shekullit të dytë, si një kështjellë ushtarake për strehimin e një legjioni dhe për të siguruar kontrollin e rrugës Egnatia, që në atë kohë ishte një arterie e rëndësishme e Perandorisë Romake. Përmes saj kalonte rruga Egnatia, që në atë kohë ishte një rrugë e rëndësishme. Si një objekt historik shumë i rëndësishëm, kalaja është shpallur monument kulture.

Kalaja së bashku me muret rrethuese, tregon për rëndësinë ushtarake të qytetit të Elbasanit në periudhën e hershme Osmane. Muri jugor dëshmon për përmasat dhe fuqinë e fortifikimeve.

Gjithashtu edhe një pjesë e materialeve nga periudha romake e bizantine që janë përdorur gjatë rindërtimit nga Mehmeti II, mund të shihen qartë në themelet e kullës jug-perëndimore. Kjo kala ka pasur 26 kulla, në largësi të barabartë nga njëra tjetra, me lartësi 9 metra.