Rikthehet monumenti i patriotit Çerçiz Topulli në zonën muzeale të Gjirokastrës

Në sheshin kryesor në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës është rivendosur monumenti i patriotit Çerçiz Topulli.

Monumenti prej bronxi u zhvendos në nisje të punimeve për rehabilitimin e sheshit ” Çerçiz Topulli” dhe ndërtimin e parkimit nëntokësor.

Së fundi monumenti është rikthyer sërish në piedastalin prej mermeri, i cili gjithashtu po i nënshtrohet restaurimit.

Monumenti prej bronxi i Çerçiz Topullit u vendos në shesh në vitin 1934 dhe është vepër e skulptorit Odise Paskali.Për realizimin e tij kontribuan financiarisht banorët e qytetit si dhe gjirokastritët në emigracion.

Monumenti është një prej simboleve që identifikon qytetin e Gjirokastrës.

Atdhetari Çerçiz Topulli drejtoi njerën prej çetave patriotike antiosmane në jug të vendit, e cila hyri në histori me vrasjen e bimbashit turk në Gjirokastër dhe Luftën e Mashkullorës në mars 1908.