Rivali i Erdoganit: Në rast fitoreje do të sjell lirinë dhe demokracinë në Turqi

Kandidati për presidencën e Turqisë, Kemal Kiliçdaroglu, i cili mbështetet nga gjashtë parti opozitare, tha se nëse fiton do të sjellë lirinë dhe demokracinë në Turqi.

“Të rinjtë duan demokraci. Ata nuk duan që policia të vijë në derën e tyre herët në mëngjes vetëm sepse kanë postuar diçka në Twitter,” tha Kilicdaroglu për BBC.

Kundërshtari i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet e 14 majit u tha të rinjve se mund ta kritikojnë lirisht.

Disa mbështetës të kandidatit të opozitës kanë frikë për sigurinë e tij, por Kilicdaroglu përgjigjet se pjesëmarrja në politikë në Turqi do të thotë “të zgjedhësh një jetë plot rreziqe”.

“Unë do të shkoj në rrugën time çfarëdo që të bëjë Erdogan dhe aleatët e tij. Ata nuk mund të më trembin. Unë i premtova kombit tim këtë,” tha ai.

Duke folur për Shërbimin Publik Britanik, Kilicdaroglu tha se do të riorientojë politikën e jashtme të Turqisë dhe se do t’i japë përparësi marrëdhënieve me Perëndimin, jo me Kremlinin.