Rohde: Veprimet e Serbisë në KiE shkelin Marrëveshjen e Ohrit, Gjermania mbështet Kosovën

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit me sjelljen në Këshill të Evropës, kur zyrtarë të saj thanë se kanë ndikuar që të hiqet nga rendi i ditës ftesa që Kosova të bëhet mysafire speciale në një komitet politik të Asamblesë së këtij këshilli.

Rohde e ka mbështetur reagimin e Bashkimit Evropian që ka dënuar sjelljen e Serbisë në lidhje me aspiratat e Kosovës për të përmirësuar statusin e saj në Këshillin e Evropës.

‘‘Bashkimi Evropian reagoi me vendosmëri: Veprimet e Serbisë në Këshillin e Evropës që pengojnë përparimin e Kosovës shkelin Marrëveshjen e Ohrit 2023. Gjermania qëndron me Kosovën, duke mbështetur aspiratën e saj për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës dhe duke ndihmuar në sigurimin e votave bazuar në meritat e saj’’, ka shkruar ai në rrjete sociale.

The EU has reacted firmly: Serbia's actions in the Council of Europe obstructing Kosovo’s progress violate the 2023 Ohrid Agreement. 🇪🇺 Germany stands with Kosovo, supporting its CoE full membership aspiration and helping secure votes based on its own merits. 🇩🇪🤝🏽🇽🇰 www.evropaelire.org/a/be-serbia-…

[image or embed]

— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) March 7, 2025 at 9:20 PM

Të mërkurën, kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e paraqiti si triumf të tyre heqjen nga rendi i ditës të ftesës së Kosovës për ta marrë statusin e mysafires speciale.

Mysafiri special ka kompetenca të kufizuara, sipas rregullores së Asamblesë Parlamentare. Mysafiri special mund të ulet në Asamblenë Parlamentare, por nuk ka të drejtë vote. Kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.

Kosova i ishte afruar anëtarësimit në Këshill të Evropës vitin e shkuar, por aplikacioni u bllokua pas kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.