Rrezikohet me burg i riu nga Beogradi, u tha veriorëve të ikin në Serbi nëse s’e njohin Kosovën

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën e Lartë në Beograd kundër Dushan T. (31-vjeç) për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ai ka ftuar qytetarët nga Zubin Potoku që të largohen nga Kosova nëse nuk dëshirojnë të jenë në institucionet e saj.

I dyshuari akuzohet për veprën penale “Thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”.

Sipas medias serbe “Nova”, në aktakuzë, prokuroria i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë me dy vjet burg.

Gjithashtu propozoi që të pandehurit t’ia zgjaste masën e paraburgimit në mënyrë që ai të mos përsëriste veprën brenda një kohe të shkurtër.

Në raport thuhet se më 18 mars 2023, në Zubin Potok, në veri të Kosovës, dyshohet se i pandehuri ka bërë thirrje “për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës së Serbisë”, duke iu afruar shtetasve të nacionalitetit serb në Zubin Potok, ashtu që i shoqëruar nga disa persona të panjohur u ka dorëzuar atyre fletëpalosje me përmbajtjen si në vijim:

“Nëse nuk doni të jeni në institucionet e Kosovës, largohuni nga Kosova. Ikni në Serbi!” dhe “Ndërroni targat, merrni dokumentet personale, shkoni në zgjedhje ose kthehuni në Serbi”.

Ai me atë rast, sipas “Nova”, ka thënë se ata që e njohin Republikën e Kosovës mund të qëndrojnë aty, e ata që nuk e njohin mund të shkojnë në Serbi.