“Rrezikojmë luftë botërore!” Viktor Orban: NATO po i afrohet luftës çdo javë

NATO po i afrohet luftës çdo javë. Kështu është shprehur Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban në një prononcim për mediat gjatë takimit me liderët e aleancës veriatlantike në Pragë. Lideri ‘kokëfortë’ i Europës thekson faktin, se planet e NATO-s për t’u përfshirë më shumë në luftën në Ukrainë janë tentativa për të shkatërruar Europën dhe për të ndezur më shumë zjarrin me Rusinë.

Orban, i cili ka kultivuar marrëdhënie me Moskën, ka qenë në mosmarrëveshje me vendet perëndimore për mbështetjen për Ukrainën që nga pushtimi i plotë i Rusisë më shumë se dy vjet më parë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjatë takimit në Pragë se “ka ardhur koha” që anëtarët e aleancës ushtarake të rishqyrtojnë disa nga kufizimet e lidhura me përdorimin e armëve që ata i dhanë Ukrainës. Ndërsa udhëheqësit ukrainas u kërkuan qeverive të lehtësojnë kufizimet, vendet perëndimore u shfaqën gjithnjë e më shumë të ndara javët e fundit nëse Ukraina duhet të lejohet ose jo të godasë objektivat në tokën ruse. Ministri i jashtëm i Hungarisë tha se vendi i tij, anëtar i NATO-s, nuk do të marrë pjesë në planin afatgjatë të aleancës për të ndihmuar Ukrainën, të cilën Budapesti e ka quajtur një “mision të çmendur”.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i kërkuan Hungarisë që të ndalojë bllokimin e masave për të ofruar miliarda euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi tensionet me Budabestin nuk janë zbutur.

Orban tha gjithashtu nga Praga se negociatat për dërgimin e trajnuesve ushtarakë francezë në Ukrainë dhe për të lejuar ushtrinë ukrainase të përdorte armë perëndimore për të sulmuar objektivat ruse janë ide “shqetësuese” të cilat çojnë vetëm në luftë. Një mision i NATO-s në Ukrainë do të rrezikonte luftën botërore në vend që të mbronte shtetet anëtare të aleancës, tha Orban.

Marrëdhëniet midis Budapestit dhe NATO-s janë acaruar për shkak të zvarritjes së Hungarisë për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO – miratuar përfundimisht nga Budapesti në mars – dhe gjithashtu për lidhjet e ngrohta të nacionalistit Orban me Moskën, pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës në 2022.