Rritet frikshëm bilanci i tërmetit në Marok! 820 të vdekur, 672 të plagosur! Shifrat e viktimave mund të rriten më tej

Rritet frikshëm bilanci i viktimave të tërmetit që goditi mbrëmjen e djeshme Marokun. Televizioni shtetor i Marokut flet për një shifër prej 820 personash që kanë humbur jetën. Për këtë shifër u citua ministria e Brendshme e Marokut. Ministria e Brendshme marokene ka thënë gjithashtu se të paktën 672 persona u plagosën nga tërmeti, duke përfshirë 205 të cilët ishin në gjendje të rëndë.

Ndërtesa të shkatërruara papritur, njerëz që vrapojnë në rrugë, njerëz që gërmojnë me duar nëpër rrënoja, dhjetëra shtretër të improvizuar në shesh. Janë pamjet e videove të publikuara në Twitter menjëherë pas tërmetit shkatërrues që goditi Marokun mbrëmjen e së premtes 8 shtator, rreth orës 23:11 me orën lokale.

Instituti Kombëtar i Gjeofizikës marokene thotë se regjistroi një magnitudë 7.0 me epiqendër në komunën Ighil, në jug të qytetit turistik Marrakesh. Thellësia e tërmetit ishte 8 kilometra.

Dëmet më të mëdha janë në Marrakesh dhe në fshatrat në malet Atlas. Shumë njerëz mendohen se janë nën rrënoja dhe po vijohet me operacionet e shpëtimit.

Shumë njerëz në qytetin e Marrakeshit kanë kaluar natën jashtë nga frika e postgoditjeve.

Shërbimi Gjeologjik të SHBA-së informon se ka regjistruar tërmetin me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter.