Rruga Korçë – Ersekë, përfundojnë rreth 90% e punimeve

Përfundojnë rreth 90% e punimeve në aksin Korçë Ersekë, aty ku është duke u ndërtuar një rrugë me parametra bashkëkohore e cila do të shkurtojë ndjeshëm kohezgjatjen e udhëtimit, nga rreth 45 min që është aktualisht në vetëm 20 min.

Nga Qafa e Qarrit e deri në Ersekë rruga kalon në një gjurmë të re me gjatësi 17,5 km. Sipas inxhinierit drejtues të punimeve Maris Hysa bëhet fjalë për një rrugë me gjerësi 8,5 m duke përfshirë edhe bankinat, e cila kalon në luginë. Në të gjithë këtë aks kanë përfunduar pjesa më e madhe e veprave të artit, si dhe shtrati i rrugës me të gjitha shtresat e saj duke qenë gati për asfalt. Ndërkohë aktualisht punëtorët janë përqëndruar në urën e Selenicës.

Ura e Selenicës është 210 m e gjatë dhe ka një lartësi prej 28 m. Në të aktualisht janë duke përfunduar kollonat e betonit dhe pritet të vijohet puna me shtratin e urës. Me përfundimin e segmentit të ri distanca nga Korça në Ersekë shkurtohet në 35 kilometra. Po kështu, aksi i ri do të ketë të gjithë elementët e nevojshëm që lidhen me sigurinë rrugore. Ndërtimi i tij do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.