Rusët thanë se nuk u është dëmtuar luftanija, ukrainasit publikojnë pamjet kur droni lundrues përplaset në të

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të mërkurën se tre anije ukrainase pa pilot kishin sulmuar pa sukses luftanijen ruse Ivan Hurs, pranë Bosforit herët në mëngjes në Detin e Zi.

Në një njoftim për shtyp të publikuar në platformën e komunikimit Telegram, Ministria deklaroi se anija mbron gazsjellësin “Rrjedha Turke” dhe “Rrjedha e Kaltër”, të cilat transportojnë gaz, pjesërisht përmes Detit të Zi, nga Rusia në Turqi. Ata shtuan se anija “vazhdon të kryejë detyrat e saj”.

Njoftimi ka të ngjarë të rrisë tensionet në Detin e Zi, ku Rusia javën e kaluar ra dakord të zgjasë një marrëveshje që lejon Ukrainën të eksportojë në mënyrë të sigurt grurin nga portet e saj.

Por ukrainasit publikuan një video të re sot. Anton Gerashchenko, këshilltar në MPB-në e Ukrainës, thotë se anija e tretë u përplas me anijen luftarake ruse.

“Dje publikova një postim për anijen ruse të flotës së Detit të Zi, Ivan Hurs që u sulmua nga anijet pa pilot”, shkroi Gerashchenko.

Rusia pretendoi se “anija vazhdon të kryejë funksionet e saj” pa përmendur gjendjen e saj. Duket se droni i tretë arriti të dëmtojë anijen”, shkruan Gerashchenko, i cili ka postuar videon.