Rusia lëshon valë sulmesh ajrore gjatë natës, Kievi: Sulmi më i madh me dronë që nga fillimi i luftës

Rusia lëshoi valë të shumta sulmesh ajrore në Kiev gjatë natës, për të cilën zyrtarët thanë se dukej të ishte sulmi më i madh me dronë në qytet që nga fillimi i luftës, ndërsa kryeqyteti ukrainas përgatitej të festonte përvjetorin e themelimit të tij të dielën.

Sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan të paktën 40 dronë që lëviznin drejt Kievit. Nga mbetjet e rrëzuara u vra një burrë 41 vjeçar dhe është plagosur një grua 35-vjeçare në qytet, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Sulmet para agimit erdhën të dielën e fundit të majit, kur kryeqyteti feston Ditën e Kievit, përvjetorin e themelimit të tij zyrtar 1541 vjet më parë. Dita zakonisht shënohet nga panaire në rrugë, koncerte të drejtpërdrejta dhe ekspozita të veçanta muzeale – plane për të cilat janë bërë edhe këtë vit, por në një shkallë më të vogël.

Informacioni paraprak tregoi se sulmi ajror ishte sulmi më i madh me dronë në Kiev që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, tha Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit. Rusia përdori dronët Shahed të prodhuar nga Irani në sulm, shtoi ai.

Reuters, që raportoi lajmin, shkroi se nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur atë informacion.

“Sot, armiku vendosi të ‘urojë’ popullin e Kievit në Ditën e Kievit me ndihmën e UAV-ve të tyre vdekjeprurëse (mjetet ajrore pa pilot)”, tha Popko në aplikacionin e mesazheve Telegram.