Një precedent të rrezikshëm që çon në ndasi fetare e ka quajtur kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha idenë e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi.
“Bektashinjtë nuk janë një urdhër i veçantë, por janë sekt i besimit mysliman. Bektashinjtë meritojnë kryegjyshatën e botës se kanë të fituar, por kjo nuk nënkupton kurrë shtet islamik. Ai synoi të luajë letrën e fundit të armiqësisë fetare”, tha Berisha.
Ai shkoi dhe më tej kur tha se kjo ide ka lindur në në Beograd.
“E bëri këtë i shtyrë siç thuhet rëndomë nga Beogradi dhe për interesa të Beogradit të mbjellësh farën e ndasive fetare”, tha Berisha.
Për herë të parë ideja e krijimit të një shteti të pavarur bektashi në Tiranë, u prezantua nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për “New York Times”. Të shumtë kanë qenë aktorë të ndryshëm të shoqërisë që janë pozicionuar kundër idesë së krijimit të një shteti sovran të bektashinjve në Tiranë.