Leroy Sane u përjashtua për sjellje të dhunshme ndaj Austrisë ndërsa Gjermania humbi një tjetër miqësore
Gjermania humbi për të gjashtën herë në vitin 2023. Ekipi i Julian Nagelsmann tregoi një performancë të dobët në miqësoren e luajtur me Austrinë të martën, duke u mposhtur 2-0 në Vjenë.
Goli i parë për austriakët u shënua nga mesfushori Marcel Sabitzer, i cili çoi në rrjet një top nga 15 metra larg në mes të pjesës së parë.
Një gol brilant nga Christoph Baumgartner në minutën e 72-të më pas vulosi fitoren e Austrisë.
Por më shumë sesa gjendja katastrofike që po kalon Gjermania, vëmendjen të martën në mbrëmje e rrëmbeu kartoni i kuq që gjyqtari Slavko Vincic i nxori Leroy Sane.
Sulmuesi i “Die Mannschaft” u përjashtua nga sfida në minutën e 49-të, pasi kapi dhe shtyu me të dyja duart në fytyrë, mbrojtësin e majtë të Austrisë, Phillipp Mwene.
Leroy Sane received a straight red card for this shove on Mwene. pic.twitter.com/843RJ2l4fD
— ESPN FC (@ESPNFC) November 21, 2023
Sane u duk se e goditi aksidentalisht Mwene, por mbrojtësi i krahut të Austrisë nuk e priti mire dhe u kundërpërgjigj. Në atë moment, Sane reagoi duke e shtyrë me të dyja duart në fytyrën, gjë që u konsiderua një sjellje e patolerueshme dhe u ndeshkua me karton të kuq.
Sane dukej i tërbuar pas incidentit dhe u desh ndërhyrja e kapitenit austriak David Alaba dhe sulmuesit Marko Arnautoviç për ta qetësuar dhe dërguar drejt tunelit të Ernst-Happel-Stadion.
Sakaq, humbja e së martës erdhi vetëm tre ditë pasi Gjermania u mposht me rezultatin 3-2 në shtëpi nga Turqia. Përveç humbjes ndaj Austrisë dhe Turqisë, katër herë kampionët e botës janë mposhtur nga Japonia, Kolumbia, Polonia dhe Belgjika.