Gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, është zgjedhur gazetarja më e mirë e vitit 2022 në Kosovë, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Ramaj nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimit, por nëpërmjet një videoje ka thënë se gazetaria është një nga profesionet më të rëndësishme të shoqërisë.
“Personalisht besoj që gazetaria është një nga profesionet më të rëndësishme që ka një shoqëri demokratike, sepse kur gazetaria është e mirë dhe profesionale, nuk është fare e rëndësishme se kush është në pushtet dhe sa i fuqishëm është ai, nuk është e fare e rëndësishme fuqia e bizneseve për të cilat mund të raportosh. Gazetari e mirë dhe profesionale as nuk mund të heshtet e as nuk mund të injorohet”, ka thekuar Ramaj.
Ajo ka thënë se gazetari nuk është vetëm profesion e vend pune. “Për mua e besoj edhe për shumë kolegë të tjerë gazetarë, e besoj që gazetaria nuk është vetëm, një profesion, gazetaria nuk është veç një vend pune, është shumë më shumë, është mënyrë jetese, është mënyrë e të menduarit, është punë pa orar, por që çdo ditë në vete e ka një qëllim”, ka theksuar Ramaj.
Ramaj gjatë vitit 2022 ka realizuar shumë hulumtime e tema në interes të publikut. Ato lidhen me korrupsion, me parregullsi në sistemin e drejtësisë, me keqpërdorime në shëndetësi e në fushën e prokurimit dhe me dhunën ndaj vajzave e grave.
Ramaj ka qenë autore e hulumtimit që zbardhi keqpërdorimet e miliona eurove të shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë. Hulumtimi i nisur nga gazetarja në vitin 2021, është përmbyllur në fundin e muajit maj të vitit 2022. Seria e gjatë e hulumtimit është titulluar ‘Abuzimet me Fondin për Trajtim Jashtë Vendi’.
Hulumtimi prej 16 pjesëve ka skanuar secilën hallkë të shëndetësisë publike. Ky hulumtim ka zbuluar mënyrën e paligjshme të funksionimit të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike. Ky program paguar miliona euro spitalet private për sëmundjet që nuk trajtohen në sistemin publik.
Megjithatë programi nuk ka asnjë kontroll mbi paratë që paguhen. Hulumtimi ka zbardhur që pagesat bëhen në mënyrë të parregullt, faturat ‘fryhen’ e ka dyshime nëse pacientët marrin shërbimin për të cilin paguan shteti.
Pjesë e këtij hulumtimi kanë qenë shumë familje që kanë pasur nevojë për ndihmën e shtetit. Një pjesë të tyre u kanë vdekur fëmijët gjatë trajtimit e ata kanë rrëfyer për vështirësitë që kanë kaluar.
Fondi zyrtarisht paguante çdo gjë për këtë pacientë, por rrëfimet e familjarëve dëshmuan qartë, jo veç për vjedhje të buxhetit të atyre që nuk kanë mundësi të trajtohen në Kosovë, por edhe varfërim të familjeve që mundohen të ju bëjnë zgjidhje fëmijëve të sëmurë.
Hulumtimi ka zbardhur mënyrën se si pacientët janë rekrutuar nga spitalet në Turqi, kush qëndron pas këtyre agjencive dhe çfarë kishin me institucionet shtetërore.
Përveç kësaj hulumtimi ka faktuar mënyrën se si referohen pacientët nga QKUK-ja: për mungesën e një bari në vlerë të 30 eurove janë paguar dhjetëra mijëra për shkak që sëmundja ka avancuar, janë paguar dhjetëra mijëra euro për një spital privat për shkak që askush nga stafi nuk ia ka dërguar pacientit të hospitalizuar një mostër të gjakut në repartin afër për ta kryer një analizë e cila kryhet në së paku 10 klinika në QKUK, ose qindra mijëra euro janë paguar në muaj për një spital privat për shkak që Klinika e Ortopedisë nuk e kishte një tavolinë stabile që kushtonte vetëm 18 mijë euro.
Pas hulumtimit pati reagime të shumta të institucioneve shtetërore. Prokuroria e Shtetit nisi hetime. Qeveria e Kosovës shkarkoi bordin e vjetër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Bordi i ri shkarkoi drejtorin e përgjithshëm. Ortopedia bleu tavolinën dhe filluan ndërhyrjet. U ndaluan referimet e jashtëligjshme.
Në muajin mars, gazetarja Ramaj ka udhëtuar fillimisht për në Poloni ku ka raportuar nga kufiri Poloni-Ukrainë, për krizën e refugjatëve të cilët u larguan nga Ukraina për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën. Disa ditë me vonë, në kushte jashtëzakonisht të vështira, ajo e vetme arriti të futej në Ukrainë duke u bërë gazetarja e vetme nga Kosova, që u fut në këtë me shtet me pasaportë të Kosovës, për të raportuar nga brendia e Ukrainës.
Nga muaji tetor, Ramaj ka hulumtuar mënyrën se si Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë të drejtë një kompanie në tenderin për blerjen e barnave e insulinave. Kompania nuk kishte Autorizim Marketing për insulina.
Autorizim Marketingu është dokument që garanton cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e barit. Ky shkrim ka zbardhur skemën se një institucion publik nuk i ka pranuar opinionet e trupave profesionale që thonë së barnat nuk guxojnë të kontraktohen pa këtë certifikatë, duke u thirre në një nen të një Udhëzimi Administrativ që është në kundërshtim më ligjin bazik.
Me pak së 48 orë pas hulumtimit kryeministri Albin Kurti përmes një vendim për tejkalim të afateve ligjore ka mundësuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ. Me pas Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin. Ti ditë pas hulumtimit njëra nga anëtaret e OSHP-së ka dhënë dorëheqje.
Gazetarja Ramaj, në shtator kreu një hulumtim në lidhje me atë se si i kishte humbur Ministria e Shëndetësisë 600 mijë euro nga një lëndë në gjykatë. Përmes këtij hulumtimi ajo zbuloi që janë dy arsye se pse Ministria e Shëndetësisë ka humbur këtë shumë të madhe të parash.
Arsyeja e parë ishte që Avokatura Shtetërore që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë nuk ka pranuar të përfaqësojë Ministrinë e Shëndetësisë në këtë proces e arsyeja e dytë ishte që Ministrisë së Shëndetësisë i ka humbur dosja e plotë e kësaj lënde.
Një ditë pas publikimit të pjesës së dytë të hulumtimit, u zhvillua një takim mes zyrtarëve të lartë politik e administrativ të Ministrisë së Drejtësisë e Ministrisë së Shëndetësisë. Pas takimit përmes komunikatës njoftuan që : Për rastin do të njoftohej Policia e Kosovës. Po ashtu u iniciuan masa disiplinore për zyrtarët e MD-së e MSh-së të përfshirë në këtë rast.
Gjatë muajit janar ka qenë autore e serisë prej katër pjesëve të hulumtimit “Lidhja e biznesmenit që fiton tenderë në mënyrë të dyshimtë me hetuesinë”. Në katër pjesë të hulumtimi është dëshmuar se si kompania “Beni Dona” ka fituar tenderë me certifikata të falsifikuara.
E, në kohën kur hetimi nis në Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë të dyshimtë fitoi tender edhe në këtë institucion. Hulumtimi ka dëshmuar amnistinë që ia ka bërë hetuesia këtij personi, e në pjesën e fundit të hulumtimit është dëshmuar edhe raporti i afërt i këtij biznesmeni me zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës e Prokurorisë së Shtetit, institucione që do të duhej ta hetonin rastin.
Në muajin gusht dhe shtator gazetarja Ramaj është marrë aktivisht me raportimin se si i trajton sistemi i drejtësisë vajzat e gratë kur janë viktima të dhunës në familje.
Çmimet tjera:
TV Storia më e mirë – Qëndresa Tershani
Kameramani më i mirë – Korab Basha dhe Burim Mjeku
Storja më e mirë nga sporti – Dardan Idrizi
Çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas – Riola Morina dhe Medinë Dauti
Uebstoria më e mirë – Adelinë Ahmeti