“S’e kom traditë me u çu n’kam para kurrkujt” – I akuzuari për thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad nuk ngritet në këmbë

Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq, janë deklaruar të pafajshëm për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Paraprakisht, në këtë seancë u bë leximi i aktakuzës nga prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I akuzuari Denisi Bytyqi, i cili nuk u ngrit në këmbë gjatë leximit të aktakuzës dhe kur u pyet rreth fajësisë, tha se e konsideron veten të pafajshëm.

“S’e kam traditë me u çu n’kam para kurrkujt”, tha Bytyqi.

“Ka shumë shpifje aty… të pafajshëm”, shtoi i akuzuari për aktakuzën ndaj tij.

Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari Enis Bitiq, i cili shkurt tha “Plotësisht i pafajshëm”.

Gjykatësja e rastit, Violeta Namani-Hajra, njoftoi të akuzuarit dhe avokatët e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për paraqitjen e kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.