Serbët në panik: Fqinjët po bëhen gati të na godasin me thikë pas shpine

Rumen Radev, presidenti i Bullgarisë, ka paralajmëruar se vendi i tij mund të rishqyrtojë mbështetjen për Serbinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian për shkak të trajtimit të Beogradit ndaj pakicës bullgare të vendit.

Analistët janë të ndarë rreth asaj se si mund të ndodhë kjo “thikë bullgare pas shpine ndaj Serbisë”. Disa besojnë se kërcënimi është retorik, ndërsa të tjerë besojnë se kjo nuk mund të përjashtohet.

Mirëpo, ky nuk është vetëm kërcënimi i Radevit, por ai ka treguar edhe kushtet që do të ndikojnë në vendim.

“Kriteri kryesor sipas të cilin do të gjykojmë dhe mbështesim përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është pikërisht pozita e bashkatdhetarëve tanë në çdo vend – kushtet për zhvillimin ekonomik dhe social dhe mbi të gjitha aftësia e tyre për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe kujtimin historik, ka shpjeguar Radev

Analisti serb i politikës së jashtme Boshko Jakshiq e ka komentuar këtë deklaratë për gazetën serbe “Blic” duke e lidhur me ngjarjet e fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara lidhur me Rezolutën për Srebrenicën.

“Kjo është një përgjigje ndaj kritikave të Beogradit për votën e Sofjes. Historia përsëritet, se gjithmonë ka një anëtar të BE-së që mund të shantazhojë”, ka pretenduar Jakshiq.

“Nuk duhet të harrojmë faktin se Bullgaria, me gjithë mbështetjen nominale të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, tashmë është përpjekur të përdorë pozicionin e saj si lojtar vetoje për realizimin e interesave të veta kombëtare, edhe kur ishte në dëm të interesave më të gjera të Bashkimit Evropian. Ky parim u zbatua më drejtpërdrejt në bllokimin ende aktual të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe nuk do të habitesha nëse përparimi i Serbisë drejt BE-së në një moment do të bllokohej nga vetoja bullgare – beson Sasha Mitroviq, studiues në Qendrën serbe për Politikat Evropiane.