Goran Vesic, ministri serb i Ndërtimit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, tha se Serbia arriti me sukses t’ia ndryshojë BE-së planet për Korridorin 8 të hekurudhave.
Vesic foli për gazetën serbe Kurir pas takimit me Abdulkadir Uraloglu, ministër turk i Komunikacionit dhe Infrastrukturës, të enjten në Beograd.
“Dikush nga BE e shtynte korridorin përmes Rumanisë drejt Greqisë e Turqisë si dhe korridorin nga Shqipëria në Bullgari. Me vendimin e Aleksandar Vucic që Serbia të nisë të investojë në hekurudhën e shpejtë të Korridorit 10, ne e ndaluam që të realizohet ai skenar i errët për Serbinë”, u shpreh ministri Vesic.
“Për këtë është e rëndësishme që të përpiqemi të jemi shteti qendror përmes të cilit kalojnë hekurudhat”, tha ai tutje.
Vesic tha se do ta shtyjnë para projektin e Korridorit 10 edhe me investime të palëve të tjera nëse injorohet nga BE-ja.
Admirali Stuart Munsch, komandant i NATO-s në bazën e Napolit, për Zërin e Amerikës tha se Korridori 8 është i rëndësisë së veçantë strategjike për Aleancën Veriatlantike.
“Korridoret e transportit janë jetike për të siguruar qarkullimin e logjistikës, municioneve, karburanteve dhe furnizimeve tjera. Natyra e fortë e korridoreve është në vetvete masë parandaluese kundër çdo agresioni ndaj NATO-s, thjesht sepse ne mund të përforcohemi dhe veprojmë me shpejtësi”, u shpreh admirali amerikan.
Korridori 10 është njëri prej korridoreve pan-europiane. Ai kalon midis Salzburgut në Austri dhe Selanikut në Greqi. Korridori kalon përmes Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.