Mediat e huaja kanë reaguar për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare në moshën 88 vjeçare. Në artikullin e publikuar France 24 e cilëson Kadarenë si shkrimtarin, romanet e të cilit “sfiduan” diktaturën komuniste.
“Pavarësisht se u cilësua si tradhtar nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë kur ai dezertoi në Francë në vitin 1990, Kadare u akuzua nga disa se gëzonte një pozicion të privilegjuar nën Hoxhën, i cili e shkëputi vendin ballkanik nga pjesa tjetër e botës”- shkruhet në artikullin e medias franceze.
Reagime ka patur edhe nëpër media të tjera ndërkombëtare, të cilat po ashtu kanë theksuar qëndrimin e Ismail Kadaresë për një Shqipëri Europiane.
Lajmi ka sjellë tristhim mes intelektualëve të vendit të cilët e cilësojnë ditën e sotme si ditë zie për gjithë vendin.
Ndërsa drejtuesit e shtetit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe presidenti Bajram Begaj e cilësuan Kadarenë si “shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave” dhe “emancipuesin shpirtëror’ të shqiptarëve.
“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.
Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”- shkruan Nikolla.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.
Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”- shprehet Begaj. Versus.al