Kryetari i Lëvizjes Dashuria, Besimi, Shpresa, Nemanja Sharoviq, ka publikuar një video nga një ndërtesë në veri të Kosovës për të cilën thotë se është e Goran Rakiqit nga Lista Serbe që tash është deputet në Serbi.
Ai ka pyetur Rakiqin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se si ka arritur Rakiq me aq pak të hyra financiare të ketë prona disa miliona euroshe, raportoi N1.
“Unë propozoj që Goran Rakiq nga ‘Srpska lista’ të shpallet sipërmarrësi i dekadës. Është e lehtë për dikë të pasur të ndërtojë një ndërtesë të tillë, por bëma e vërtetë është kur dikush me të ardhura modeste, si ish-presidenti i Srpska Lista e bën”, ka bërë të ditur Sharoviqi në rrjetin social X.
Ai gjithashtu ndau një video të realizuar para një ndërtese në Mitrovicë, duke thënë: “Nuk mund të rezistojmë të vizitojmë punimet në objektin që i përket Goran Rakiqit. Objekti është ndërtuar në një parcelë prej 350 mijë eurosh, e cila është regjistruar në pronësi nga Rakiqi, ish-kryetari i Listës Serbe. Ai ka të ardhura mjaft modeste, por duket se me ‘sistemin e tri zarfeve’ ka arritur të kurseje sa për të ndërtuar një kat përdhes, 10 kate e lart, nuk dihet nëse do të jete papafingo apo nivel i ri, nuk e dimë për momentin”.