Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk do t’i japin Rusisë disa të dhëna të kërkuara sipas traktatit të ri START të kontrollit të armëve, duke përfshirë vendndodhjet e saj të raketave, në shenjë hakmarrjeje për ‘shkeljet e vazhdueshme’ të marrëveshjes nga Moska.
Departamenti i Shtetit tha se SHBA do të ndalojë gjithashtu dhënien e informacioneve për lëshimet e raketave balistike ndërkontinentale dhe nëndetëseve amerikane.
Ky vendim vjen pasi Rusia ndali ndarjen e të dhënave të armëve bërthamore.
Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit thanë se SHBA-ja kishte ofruar të vazhdonte dhënien e këtij informacioni Rusisë edhe pasi Presidenti Vladimir Putin pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktat muajin e kaluar, por Moska informoi Uashingtonin se nuk do të ndante të dhënat e veta.