Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në një intervistë për France 24, ka komentuar situatën në frontin ukrainas dhe tensionet që janë përshkallëzuar në Kosovë ditët e fundit.
Stoltenberg paralajmëroi se çdo përdorim i armëve bërthamore në Ukrainë do të kishte “pasoja të rënda, dramatike për Rusinë”, duke e quajtur retorikën bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin “të pamatur dhe të rrezikshme”.
Megjithatë, kreu i NATO-s beson se “probabiliteti i ndonjë përdorimi të armëve bërthamore në Ukrainë nga Rusia mbetet i ulët”. Ai e quajti strategjinë e Rusisë për të shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës një “formë brutale lufte” dhe “një mënyrë për ta kthyer dimrin në një armë”, por përsëriti se ai ishte i bindur se ukrainasit do të vazhdonin të rezistonin.
Ai foli edhe për hyrjen e dy vendeve nordike në një aleancë ushtarake. “Jam i bindur se të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë Turqinë, do ta ratifikojnë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë”, vuri në dukje ai.
“Po e përcjellim me vëmendje situatën në Kosovë”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s më pas iu referua tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. “NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, e më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it janë më shumë prej 4000 ushtarësh dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës”, tha ai.
“Forcat tona janë të afta dhe të gatshme. Ushtarët po monitorojnë situatën me vëmendje të madhe. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese. U bëj thirrje atyre për të ulur tensionet në Kosovë”, ka shtuar Stoltenberg.