Shefi mercenar rus, Yevgeny Prigozhin, e ka adresuar publikun përmes një videoje për herë të parë që nga rebelimi jetëshkurtër ndaj udhëheqësisë së Rusisë në fund të qershorit.
Në orët e vona të mbrëmjes së 21 gushtit, Prigozhin u shfaq në një klip – që besohet të jetë incizuar në Afrikë – që u publikua në kanalet e platformës Telegram të lidhura me grupin Wagner.
Prigozhin shihet duke qëndruar në një zonë shkretëtire dhe me një pushkë në duar. Në prapavijë, shihen edhe shumë njerëz të tjerë të armatosur.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka arritur ta verifikonte datën apo lokacionin e xhirimit të videos, por komentet e Prigozhinit dhe disa postime në kanalet pro-Wagner në Telegram sugjerojnë se videoja është incizuar në Afrikë.
“Temperatura është +50 – gjithçka ashtu siç na pëlqen. Wagner e bën Rusinë edhe më të madhe në të gjitha kontinentet dhe Afrikën më të lirë. Drejtësi dhe lumturi për popullin afrikan, ne po e bëjmë jetën një makth për ISIS (Shteti Islamik, IS) dhe Al-Kaeda dhe banditët e tjerë”, thotë Prigozhin në video.
Ai më pas thotë se Wagner është duke rekrutuar njerëz dhe se grupi mercenar “do të përmbushë detyrat që i janë vendosur”. Videos iu bashkëngjit edhe një numër telefoni, ku u tha se mund të kontaktojnë ata që duan t’i bashkohen grupit mercenar rus.
E ardhmja e Wagnerit dhe Prigozhinit ka qenë e paqartë që kur ai udhëhoqi një rebelim të shkurtër kundër institucionit të mbrojtjes ruse në fund të qershorit dhe Kremlini tha se ai dhe disa nga luftëtarët e tij – të cilët kanë luftuar në disa nga betejat më të ashpra të luftës në Ukrainë – do të largoheshin drejt Bjellorusisë.
Që nga rebelimi, disa luftëtarë të Wagnerit janë zhvendosur në Bjellorusi dhe kanë filluar stërvitjet ushtarake atje. Në komentet e publikuara në fund të korrikut, Prigozhin tha gjithashtu se Wagner ishte gati të rriste më tej praninë e tij në Afrikë.