Misioni i EULEX-it në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se kanë qenë ndërmjetës në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Policisë së Kosovës në rastin e marrjes së shenjave të gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Harjizi, i cili është vrarë në Serbi pasi është arratisur nga burgu i Smrekonicës në Kosovë..
EULEX ka konfirmuar për Express se për rastin në fjalë kanë pranuar kërkesë, të cilën e kanë proceduar në përputhje me mandatin.
“Në linjë me mandatin aktual të EULEX-it, misioni përkrah Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë duke lehtësuar shkëmbimin e informatave në mes të Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Në rastin konkret, EULEX-i ka pranuar një kërkesë e cila është proceduar në përputhje me mandatin tonë”, kanë thënë në një përgjigje për Gazetën Express nga Zyra për Media e EULEX-it.
Në fund të përgjigjes EULEX thotë se “ Çdo shkëmbim i mundshëm i informacionit policor i lehtësuar përmes EULEX-it mbulohet nga parimi i konfidencialitetit”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dje përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor e Policisë së Kosovës ka njoftuar se më 22 korrik kanë pranuar nga autoritetet serbe shenjat e gishtërinjve të një personi, që më pas nga Forenzika është konstatuar që janë të qytetarit Faton Harjizi.
“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, ka njoftuar dje MPJ.
Faton Harjizi gjatë arratisë dhe qëndrimit në Serbi dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe një tjetër dyshohet se e ka plagosur.