Shiu “përmbyt” Shkodrën, shembje gurësh dhe rrugë të bllokuara

Gjatë mesnatës, një shembje masive gurësh ka bllokuar plotësisht aksin rrugor Pukë–Fushë Arrëz, pranë kroit të Zojës.

Ekipet e emergjencës civile po punojnë për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit.

Reshjet e shumta gjatë natës kanë shkaktuar dëmtime edhe në rrugë rurale të Bashkisë Pukë (njësitë Rrapë dhe Gjegjan), ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra, si dhe probleme të ngjashme në Bashkinë Fushë Arrëz.

Në Bashkinë Shkodër, rruga Kir–Shosh është e pakalueshme për shkak të rënies së gurëve, ndërsa në Malësinë e Madhe dhe Vaun e Dejës situata është relativisht e qetë, me monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencës, raporton për Klan News, gazetarja Emi Kalaja.

Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit konfirmon se nivelet e lumenjve kryesorë janë nën kuotat kritike dhe nuk janë raportuar dëmtime serioze të argjinaturave.

Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencës civile qëndrojnë në gatishmëri për të adresuar çdo problem të mundshëm dhe për të rikthyer shërbimet dhe qarkullimin sa më shpejt.