Shkrimi i rrallë i revistës franceze më 1880: Shqiptarët, raca më e bukur në të gjithë Turqinë

Një revistë franceze e qershorit 1880, boton këto dy gravura shqiptarësh, shoqëruar me një shkrim të rrallë. Është interesante se si na shihnin të huajt në atë kohë, e kam fjalën nga ana fizike. Zgjodha këtë pjesë:

Shqiptarët janë një nga racat më të bukura, ndoshta më e bukura në të gjithë Turqinë.

Ata janë më të afërt me grekët sesa me sllavët dhe të kujtojnë tipet më të bukur të malësorëve zviceranë për nga fytyra ovale, hunda e gjatë dhe e hollë, trupi i mpakët dhe format elegante. Shqiptari ka cilësitë fizike të zviceranëve dhe tirolezëve.

Njëlloj si ata, ai është një këmbësor i guximshëm, u ngjitet maleve porsi dhitë, me pushkën mbi supe por, në ndryshim prej tyre, ai ka një gjallëri e një gaz prej jugorësh që i shtohen mprehtësisë së tij të jashtëzakonshme, e cila të bie menjëherë në sy.

Ashtu si grekët, shqiptarët dallohen si njerëz që e marrin jetesën me gëzim, ashtu si u vjen.

Krenaria kombëtare shfaqet te çdo fjalë e tyre, te gjestet, madje edhe tek ecja e tyre e lehtë dhe herë-herë teatrale.

(Le Journal de la jeunesse: nouveau recueil hebdomadaire illustré, 13.6.1880).

*Marrë nga profili i gazetarit Ilir Ikonomi