Shpërthimi i tubacioneve të Nord Stream, CIA ishte kundër planit, Zelensky ishte në dijeni

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ishte në dijeni të operacionit për shpërthimin e tubacioneve të Nord Stream 1 dhe 2 në Detin Baltik, në shtator të vitit 2022. Lajmi është bërë publik nga prestigjiozja amerikane, Wall Street Journal, e cila citon dokumente të inteligjencës amerikane.

Sipas burimeve të Wall Street Journal, ideja për të hedhur në erë Nord Stream u konceptua nga “një grusht oficerësh dhe biznesmenësh të lartë ushtarakë ukrainas” teksa u mblodhën për të pirë në maj 2022, disa muaj pas shpërthimit të konfliktit midis Moskës dhe Kievit.

Komplotuesit besonin se kjo do të reduktonte të ardhurat e Rusisë nga energjia dhe do ta bënte BE-në më pak të varur nga Moska.

Operacioni ukrainas kushtoi rreth 300 mijë dollar. Ai përfshinte një jaht të vogël të marrë me qira me një ekuipazh prej gjashtë anëtarësh, duke përfshirë zhytës civilë të trajnuar. Pjesë e ekipit ishte edhe një grua, prania e së cilës ndihmoi në krijimin e iluzionit se ata ishin një grup miqsh të cilët po lundronin për kënaqësi.

Volodymyr Zelenskyy fillimisht aprovoi sulmin ndaj tubacioneve, por më vonë – kur CIA mësoi për planin dhe i kërkoi liderit ukrainas ta ndërpriste atë – urdhëroi që të anulohej operacioni, bëri me dijë një oficer ukrainas i cili pretendon se ishte përfshirë në sabotim, citon Wall Street Journal.

Ish-komandanti i përgjithshëm ukrainas, tashmë ambasador në Britaninë e Madhe, Valery Zaluzhny e injoroi kërkesën dhe vazhdoi me sulmin, thanë burimet e Wall Street Journal. Zaluzhny, e mohoi raportin e medias amerikane duke i quajtur pretendimet për përfshirjen e tij – ose të Kievit – në shkatërrimin e Nord Stream si një “provokim”. Prokuroria gjermane ka nisur një hetim për këtë proces e cila mund të çojë në një krisje midis Ukrainës dhe Gjermanisë.