Shqipëria kishte numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE në 6-mujorin e parë të vitit 2023, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat e Agjencisë Europiane të Emigracionit tregojnë se, 4779 azilkërkues nga Shqipëria kërkuan azil në vendet BE (nuk përfshihet Britania e Madhe). Ndërsa nga Maqedonia e Veriut ishin 3603 azilkërkues, nga Serbia 2570, nga Bosnja 851 dhe nga Mali i Zi 179 azilkërkues.
Tendenca e aplikimeve për azil të shqiptarëve vijon të mbetet tejet e lartë krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe më gjerë.
Të dhënat e gjysmës së parë të këtij viti tregojnë për shifrat më të larta të aplikimeve për azil të shqiptarëve krahasuar me vitet e fundit.
Gjysma e parë e këtij viti ka dëshmuar një zhvendosje të madhe të kërkesave për azil të shqiptarëve nga Europa drejt Britanisë së Madhe.
Aplikimet për azil në vendet e BE arritën 519 000 ne janar-qershor 2023, me një rritje prej 28% krahasuar me gjysmën e parë të 2022.
Sirianët vazhduan të parashtronin shumicën e kërkesave për azil në BE Në gjysmën e parë të vitit 2023, ata depozituan 67,000 aplikime, ose (47 % me pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Të dhënat tregojnë se kërkesat për azil nga Rusia ishin te larta me rreth 12 mijë persona, ndërsa nga Ukraina rreth 7 mijë persona.
Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve është rikthyer fort pas pandemisë, teksa shqiptarët po largohen duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.
Bizneset pa përjashtim në të gjithë sektorët konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit me 2022. Ikjet ishin aq të mëdha këtë vit, saqë konsumi ka pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, të tillë si brumërat, sheqernat etj.
Shqipëria po humb miliarda dollarë nga investimet në arsim teksa sistemi i pensioneve po vihet në rrezik nga reduktimin e forcës së punës që paguan sigurime. Sakaq bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve. /Monitor.al