Përshkruhej me detaje sesi ata u njohën rastësisht dhe pas disa dialogësh, ai e fton Anën në dhomën e tij. Po sipas shkrimit, Ana shkon në dhomën e turistit suedez, ku kalon atje gjithë natën. Autori në fund të shkrimit shpjegon me hollësi marrëdhëniet intime që pati me vajzën shqiptare, pa e ditur se historia e tij erotike nga Shqipëria do të fuste në hall të madh autoritetet e vendit më të izoluar të Europës
“Atje ku vajzat, janë më të nxehta se llava” kështu ka shkruar një turist suedez në një reportazh kur pati vizituar Sarandën gjatë vitit 1988. Në këtë shkrim, i cili mbërriti në Tiranë nëpërmjet ambasadës tonë në Stokholm mungonte emri i autorit, dhe në atë kohë edhe regjimi e kishte të pamundur ta identifikonte të huajin e aventurës së rrezikshme. Ai përshkruan me detaje vizitën e tij në qytetin e Sarandës, ku qëndroi disa ditë e ku u njoh në hotel me një vajzë shqiptare që punonte aty. Sipas shkrimit dhe fotos nudo të publikuar në të, vajza quhej Ana dhe nga pamja ishte tepër ezmere.
Përshkruhej me detaje sesi ata u njohën rastësisht dhe pas disa dialogësh, ai e fton Anën në dhomën e tij. Po sipas shkrimit, Ana shkon në dhomën e turistit suedez, ku kalon atje gjithë natën. Autori në fund të shkrimit shpjegon me hollësi marrëdhëniet intime që pati me vajzën shqiptare, pa e ditur se historia e tij erotike nga Shqipëria do të fuste në hall të madh autoritetet e vendit më të izoluar të Europës.
TRANSKRIPTI I SHKRIMIT TË SUEDEZIT
Në vitin 1988, vendi më stalinist i Europës nuk jepte as shenjën më të vogël të devijimit nga rruga e Enver Hoxhës. Ndaj edhe mund të imagjinohet skandali që shkaktoi në Tiranë shkrimi intim i turistit suedez, i formatit të revistave rozë. Për të gjetur personazhet e asaj aventure “mëkatare” në një hotel të Sarandës nuk do të ishte fare e lehtë. Duke e ditur se me ç’vend kishte të bënte, suedezi kishte fshehur veten dhe identitetin e vajzës shqiptare me të cilën kishte kaluar natën, duke i vendosur edhe asaj një emër të rremë, në mënyrë që të mos ishte nën vrojtimin e autoriteteve të kohës, nëse ata mund ta kërkonin.
Raportimet nga Shqipëria në mediat e huaja, edhe ata më të kotët analizoheshin shumë në atë kohë, pasi i vetmi burim nga brenda vendit, ishte informacioni zyrtar që vinte nëpërmjet kanaleve si ATSH-ja apo radiot në gjuhë të huaja, të cilat gjithsesi i përmbaheshin fort formatit të mërzitshëm komunist. Për shumë, vendi në këto vite kishte hyrë në një izolim të thellë dhe PPSH-ja i kishte shpallur luftë pa kthim gjithë botës. Në këtë sfond historik, shkrimi i turistit suedez në Shqipëri do të ngrinte në këmbë ambasadën tonë në Stokholm, Ministrinë e Punëve të Jashtme e atë të Punëve të Brendshme. Të gjithë u vunë në kërkim të Anës.
Materiali në fjalë kaloi në duart e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, i cili do ta kishte të pamundur të gjente dhe përcaktonte se cila ishte vajza nga Saranda, që kishte kaluar një natë me suedezin. Historia e kësaj ngjarje shkon edhe më tej. Materiali i përcillet më 8 mars 1988 ministrit të Punëve të Brendshme të kohës, Simon Stefanit, një ndër drejtuesit më të lartë komunistë, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Stefani, ndoshta ndër ministrat më të shkurtër që njeh historia e shtetit shqiptar, u alarmua nga informacioni dhe i kërkoi ndihmësit të tij, Zylyftar Ramizit të hetonte dhe të gjente me çdo kusht se cila ishte vajza në revistën suedeze. Jo vetëm kaq, por për regjimin ishte e patolerueshme edhe pamja e vajzës, e fokusuar nga suedezi: e uritur, me një mollë në dorë.
Nisin hetimet nga Dega e Punëve të Brendshme Sarandë për gjetjen e vajzës. Merren në pyetje njerëz të dyshuar. Të gjitha të dyshuarat, punonjëse në hotel ishin femra me një jetë normale. Fillon krahasimi i fotove me revistën. Asgjë nuk del në dritë. Fillojnë prapë hetimet dhe ngërçi është po ai. Vajza nuk ishte punonjëse hoteli, por një femër nga pjesët inferiore të popullsisë së vendit. Kishte kaluar një natë me të dhe kaq. Turisti suedez, në fakt i kishte futur në lojë të gjithë zyrtarët e Shqipërisë.
RAPORTI NGA STOKHOLMI
Ambasada e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Stokholm ka qenë vigjilente në rastin e botimit të këtij shkrimi. Ajo menjëherë ka bërë përkthimin përgjithësues të materialit pa hyrë në gjërat e turpshme, dhe këtë ia ka postuar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për eprorët e tij, ambasadori shqiptar në Suedi shkruan: “Revista e përmuajshme suedeze “Stop Weekend”, nr.10/1988, me 45 mijë kopje, në lidhje me vendin tonë boton shkrimin: “Atje ku vajzat janë të nxehta si llava”.